HRW akuzon forcat ushtarake ruse për krime lufte në Ukrainë
Moskë, 4 prill - Një prej organizatave kryesore që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut bëri të ditur të dielën se kishte dokumentuar ato që i cilësoi se ishin krime të qarta lufte të kryera nga forcat ushtarake ruse kundër civilëve në Ukrainë.
Në një deklaratë të organizatës "Human Rights Watch" thuhej se ajo kishte gjetur disa raste që tregonin se forcat ushtarake ruse kishin shkelur ligjet e luftës në rajone të kontrolluara nga Rusia në Çernihiv, Kharkiv e Kiev.
Organizata e botoi deklaratën në Varshavë. Të shtunën trupa civilësh të vdekur u gjetën të hedhur nëpër rrugët e qytetit Bucha të Ukrainës, tre ditë pasi ushtria ruse u tërhoq nga një sulm njëmujor ndaj kësaj zone që ndodhet 30 kilometra në veriperëndim të Kievit.
Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment kur u pyet në lidhje me trupat e gjetur në Bucha dhe mbi deklaratën e "Human Rights Watch".
Kremlini thotë se operacioni i tij special ushtarak ka në shënjestër objektiva ushtarakë dhe jo sulme sulme ndaj civilëve.
I pyetur rreth disa akuzave të tjera për krime lufte më 1 mars, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për gazetarët se Moska e mohon në mënyrë kategorike këtë gjë. Ai hodhi poshtë akuzat për sulme të Rusisë ndaj objektivave civile dhe përdorim nga ana e tyre të bombave thërrmuese apo bombave me vakum.
Më 21 mars zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov, tha se operacioni i Rusisë po kryhej nga forca profesioniste dhe të armatosura mirë, duke hedhur poshtë pretendimet e Ukrainës se forcat ruse kishin goditur objektiva civilë.
Organizata "Human Rights Watch" me bazë në Nju Jork iu referua rastit të Bucha-s në deklaratën e saj, duke thënë se kishte intervistuar 10 persona, përfshirë dëshmitarë e banorë lokalë, personalisht ose me telefon. Sipas organizatës disa kishin frikë të jepnin emrat e tyre të plotë.
“Rastet që ne dokumentuam përbëjnë një mizori dhe dhunë të pashpjegueshme e të qëllimtë kundër civilëve ukrainas”, tha Hugh Williamson, drejtor i "Human Rights Watch” për Evropën dhe Azinë Qendrore.
“Përdhunimi, vrasja dhe aktet e tjera të dhunshme ndaj njerëzve që janë ndaluar nga forcat ruse duhet të hetohen si krime lufte”, shtoi ai.
Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje të verifikonte menjëherë provat e ofruara nga "Human Rights Watch”.
Gazetarët e “Reuters-it” vizituan të shtunën Bucha-s, pasi qyteti u rimor nën kontroll nga forcat ukrainase dhe panë trupa njerëzish pa uniforma ushtarake, të shpërndara në rrugë.
"Human Rights Watch" tha se të gjitha palët e përfshira në konfliktin e armatosur në Ukrainë janë të detyruara të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe ligjet e luftës.