Hoyt Yee shpreh përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën
Londër, 22 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës në Londër, u takua me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, fuqizim të sundimit të ligjit, avancimin e institucioneve demokratike dhe të proceseve integruese euroatlantike.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e përjetshme të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e SHBA-ve, duke theksuar përkushtimin e plotë të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe të partneritetit strategjik me SHBA-të.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për dialog institucional me qëllim të zgjidhjes së çdo lloj shqetësimi apo problemi real për qytetarët e Kosovës.
“Ne, Qeveria por edhe qytetarët e Kosovës e dimë qëndrimin dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe ne jemi shumë falënderues për këtë përkrahje të pazëvendësueshme që po jepni”, tha kryeministri Mustafa.
Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit i SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, shprehu përkrahjen e mëtejshme të SHBA-ve për Kosovën.
Duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani në Kosovë, Yee vlerësoi lidershipin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimet demokratike në Kosovë, duke theksuar mbështetjen amerikane në këtë rrugë.