Hoyer: Serbia ti rregullojë raportet me Kosovën

Berlin, 30 shtator - Ministri i Shtetit në ministrinë e Jashtme gjermane, Werner Hoyer, ka thënë se Serbia duhet shpreh qëndrimin e saj për bisedimet dhe eskalimin e situatës.në veriun e Kosovës.
Ne takimin e Këshillit për çështje evropiane të Bundestagut, ai ka thënë se Serbia, në krye me presidentin Boris Tadiq, ka bërë përparime të mëdha në rrugën evropiane, sidomos në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.
Jemi shumë të interesuar për raporte konstruktive me Serbinë, por na duhet një përparim i rëndësishëm, ka thënë Hoyer, transmeton Telegrafi njoftimin nga faqja e Bundestagut.
Duke bërë me dije se tash është herët të vendoset për fillimin e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, Hoyer ka thënë se qeveria në Berlin për këtë duhet ta marrë një qëndrim zyrtar.
Kur është fjala te incidentet në veriun e Kosovës, ai ka shprehur dyshimet nëse Beogradi dhe Prishtina mund të garantojnë paqe dhe se tash është e domosdoshme që Serbia qartë ta shpreh qëndrimin e saj për bisedimet dhe për eskalimin e situatës.
Siç thuhet në komunikatën e Bundestagut, Hoyer ka vlerësuar se Serbia duhet të rregullojë raportet me fqinjët, jo vetëm për fillimin e negociatave për anëtarësim, por edhe kur është fjala për ndarjen e statusit të kandidatit.