13 Janar 2025

Hoxhaj takoi presidentin dhe kryeministrin e Bullgarisë

Sofje, 2 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Bullgari është takuar me presidentin bullgar, Rosen Plevneliev, kryeministrin Plamen Oresharski dhe udhëheqësit e Parlamentit të Bullgarisë.

Ministri Hoxhaj ka marrë përkrahjen e mëtutjeshme të shtetit bullgar për  proceset integruese evropiane të Kosovës.

Gjatë takimeve, presidenti dhe kryeministri bullgar i kanë shprehur ministrit Hoxhaj vullnetin e shtetit të tyre që Kosova dhe Bullgaria vitin që vjen të kenë bashkëpunim edhe më të ngushtë ekonomik, duke organizuar edhe një forum të përbashkët.

Nga ana e tij, ministri Enver Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen që shteti bullgar po jep për Kosovën.

Ai po ashtu ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit në ekonomi, tregti, arsim e kulturë, në kuadër të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve.

Hoxhaj ka kërkuar përkrahjen e Bullgarisë në proceset integruese evropiane, duke përfshirë nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu vlerësoi rëndësinë që ka për Kosovën përkrahja e Bullgarisë në anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, ka vlerësuar lartë progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e Bullgarisë për Kosovën në të gjitha proceset.

Kryeministri i bullgarisë, Plamen Oresharski, theksoi gatishmërinë e shtetit të tij për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Kryeministri Oresharski po ashtu ka shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të Bullgarisë për Kosovën, me theks të veçantë në proceset integruese evropiane, duke iu referuar përvojës bullgare në këtë rrugë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)