Hoxhaj: Sllovakia mbështet të ardhmen e Kosovës evropiane
Munih, 1 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri që po zhvillohet në qytetin e Munihut, ka pasur një takim me Miroslav Lajčák, ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë.
Hoxhaj e ka informuar homologun sllovak për progresin që po bënë Republika e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë, në suksesin e integrimit në sistemit ndërkombëtar përmes zgjerimit të gjeografisë globale të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka informuar homologun sllovak edhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat evropiane dhe globale, si dhe për reformat e ndërmarra të domosdoshme për rrugën evropiane të Kosovës.
Aspiratën e vetme që e kanë qytetarët e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe gjatë këtij viti, Kosova si rezultat i progresit të bërë pret vendime dhe hapa konkrete sa i takon Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe liberalizimit të vizave, ka thënë ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj theksoi vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Sllovakisë.
Në anën tjetër, Miroslav Lajčák, ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë, tha se vendi i tij e mbështet të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës dhe se këtu Kosova mund të llogaris në mbështetjen e Sllovakisë.
Ministri Hoxhaj ka informuar ministrin Lajčák edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Ministri Hoxhaj në dhjetor të vitit të kaluar ka zhvilluar një vizitë në Bratislavë, ku ka pasur një darkë pune me ministrin Lajčák edhe takime me deputetë të Parlamentit sllovak, me deputetë të komisionit për politikë të jashtme dhe integrimeve evropiane si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile në Bratislavë.