18 Maj 2024

Hoxhaj: Serbia duhet të pajtohet me Kosovën e pavarur

New York, 29 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në fjalimin e tij drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka paraqitur zhvillimet pozitive në Republikën e Kosovës.

Duke folur për të arriturat dhe për perspektiven evropiane, Ministri Hoxhaj ka theksuar se në tre muajt e fundit Republika e Kosovës ka bërë progres vendimtar në forcimin e institucioneve.

“Kosova ka mbajtur stabilitetin institucional dhe ka përmirësime të dukshme në të gjitha aspektet e jetës: qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe ekonomisë së bazuar në tregun. Procesi i demokratizimit është duke shkuar në drejtimin e duhur”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Duke folur për shtimin e njohjeve në tri muajt e fundit, ministri Hoxhaj ka thënë se gjatë periudhës raportuese Republika e Kosovës ka bërë progres të rëndësishëm në përpjekjet për tu bërë pjesë e nismave rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi qenë dhe mbesim një anëtar i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Numri dhe shtrirja gjeografike e njohjeve të Kosovës është globale. Kjo demonstron se pavarësia e Kosovës është një realitet gjeopolitik. Dëshiroj të falënderoj qeveritë e Kuvajtit, Gabonit dhe Bregut të Fildishtë për vendimet e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka shtuar ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si  korniza më e mirë për të siguruar paqe, stabilitet dhe prosperitet afatgjatë në rajon.

“Në vitin 2011, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe ne shpresojmë që 2012 do të jetë viti i Kosovës Evropiane”, ka shtuar ministri Hoxhaj.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka folur edhe për situatën në veri të Kosovës.

“Gjendja aktuale në veriun e Kosovës është komplekse. Kjo e kërcënon funksionalitetin e Kosovës si një shtet shumetnik, dhe kjo është gjithashtu një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë rajonale. Status quo-ja është toleruar që prej 1999, dhe kjo është toleruar në kundërshtim me Rezolutën 1244. Në këto rrethana, qeveria e Serbisë ka mbajtur, kontrolluar dhe sponsorizuar një sistem tërësisht ilegal të strukturave të saj. Njësitet e sigurisë dhe policisë si dhe strukturat paramilitare dhe të mbrojtjes ende janë prezent dhe operojnë në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Më tej Hoxhaj ka shtuar se operimi i strukturave ilegale serbe paraqet një pengesë për integrimin e popullatës lokale dhe për zbatimin e sundimit të ligjit. Ky është cepi i vetëm në Evropë që nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe demokratike dhe pjesëmarrje në institucione demokratike në 12 vjetët e fundit.

“Ky është rasti i vetëm në Evropë ku një shtet është duke kontrolluar, përmes forcave të sigurisë, një pjesë të një vendi tjetër. Në këtë pjesë pa rend dhe ligj, veprimet kriminale dhe krimi i organizuar kanë lulëzuar. Ashtu siç kemi parë, përveç implikimeve ekonomike për Kosovën, Serbinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit, një situatë e tillë e “vrimës së zezë” ka kërcënuar seriozisht sigurinë rajonale”, ka nënvizuar ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se strukturat ilegale të sigurisë të krimit të organizuar kanë për synim të krijojnë një situatë të status quo-së me qëllim të ruajnë veprimet ilegale ekonomike, si kontrabandën, trafikimin e të tjera, me përkrahjen e qeverisë serbe, strukturat ilegale kanë mbajtur popullatën lokale peng dhe kanë kërcënuar paqen dhe rendin.

“Është me rëndësi të përmendim këtu se prej 1999 ne kemi qenë kontribuues i madh financiar i institucioneve lokale në këtë pjesë të Kosovës. Vetëm gjatë këtij viti ne kemi investuar me shume se 5 milion euro në projekte të ndryshme dhe ne do të bëjmë edhe me shumë në të ardhmen. Fatkeqësisht, Beogradi çdo herë ka ndërhyrë dhe ka mohuar çdo formë të bashkëpunimit për të mirën e komunitetit lokal serb atje”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka treguar durim për vite. Ne kemi insistuar se situata duhet të zgjidhet në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar. Ne kemi qenë dhe jemi të përcaktuar për zgjidhjen e kësaj situate përmes bashkëpunimit dhe jo konfrontimit. Por qasja jonë – për t’i dhënë mundësi paqes dhe mirëkuptimit – është keqpërdorur nga Qeveria e Serbisë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ministri Hoxhaj ka potencuar se Serbia thirret në Rezolutën 1244 çdo herë, megjithatë, Serbia ka bërë çdo gjë në fuqinë e saj të parandalojë zbatimin e rezolutës në veri të Kosovës dhe të pengojë formimin e një karakteri shumetnik për shoqërinë tonë.

“E njëjta ka ndodhur me Planin e Ahtisaarit prej 2008. Shumë nga dispozitat e Planit të Ahtisaarit janë për të siguruar mekanizmat dhe të drejtat më të mira për serbët e Kosovës. Deri më tani Kosova ka zbatuar më shumë se 90% të këtij plani, dhe integrimi i serbëve të Kosovës nëpër tërë vendin është realitet. Plani nuk është arritur në veri sepse Serbia nuk ka treguar kurrë interes për përmirësimin e jetës së serbëve lokalë”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka përshkruar situatën në veri të Kosovës, e cila edhe më tutje mbetet pandryshuar, e bllokuar dhe kërcënuese, kamionë, gurë, dhe bllokada tjera të ndryshme mbajnë të bllokuar shumicën e rrugëve në komunat në veri.

“Në total janë 18 bllokada rrugësh që mbajnë të bllokuar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Madje edhe trupat e KFOR-it, forcë kjo që ka mandatin e Rezolutës 1244, dhe Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit në Kosovë, EULEX-i, janë të penguar të kalojnë këto barrikada. Ky është një kërcënim real për sigurinë përbrenda Kosovës dhe për paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka theksuar ministri Hoxhaj.

Duke folur për narracionin e luftës që është akoma prezent në diskursin politik serb, ministri Hoxhaj ka thënë se ky diskurs është konfirmuar javën e kaluar me deklarata nga anëtarë të qeverisë serbe, i cili kur foli për Kosovën tha se Serbia nuk mundet dhe nuk do të shikojë qetësisht nëse “vija e kuqe” kalohet. Ata dërguan një mesazh kërcënues dhe promovuan konceptin e “bilancit të frikës” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi qenë të durueshëm duke shpresuar se fqinji ynë – Serbia – do të kuptonte se bllokadat e rrugëve dhe kërcënimet nuk janë zgjidhje e problemeve tona.  Ne nuk duam të jemi pjesë e skenarëve destabilizues, dhe ne nuk do të tolerojmë të kërcënohemi nga frikësimet destruktive. Ne jemi partner konstruktiv në zgjidhjen e çështjeve që përballemi, por ne nuk do të japim sovranitetin tonë dhe funksionimin e shtetit tonë të ri demokratik. Ne po punojmë drejt përmirësimit të marrëdhënieve fqinjësore, gjithmonë të orientuar drejt dialogut dhe integrimit evropian”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj në fjalimin e tij ka folur edhe për dedikimin e Qeverisë së Kosovës për paqe, stabilitet dhe një të ardhme evropiane për tërë rajonin. Kjo ka çuar në angazhimin e Republikës së Kosovës në dialogun teknik me Serbinë që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Qëllimi ynë është të sjellim shërbimet më afër të gjithë qytetarëve. Dhe të gjitha zgjidhjet që kemi propozuar deri më tani kanë për synim t’i bashkojnë komunitetet dhe jo t’i ndajnë. Nuk besoj se duhet të ketë apo mund të ketë rrymë etnike, telefona mobilë etnikë apo targat automjetesh etnike, sepse këto koncepte janë kundër vlerave dhe normave evropiane”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Ai po ashtu ka bërë të qartë pozicionin e qeverisë së Kosovës për dialogun: Kosova është dhe do të jetë pjesë e këtij dialogu.

“Ne mirëpresim që Serbia – pas disa muajsh bojkoti – është kthyer në tryezën e dialogut javën e kaluar. Megjithatë, ne nuk duhet ta kuptojmë dialogun vetëm si një proces – thjeshtë duke marrë pjesë në takime – pa ndonjë rezultat konkret. Ne jemi shumë të interesuar në rezultate dhe në zbatimin e marrëveshjeve”, ka shtuar ministri Hoxhaj.

Duke folur për perspektiven evropiane të shteteve të rajonit, ministri Hoxhaj ka theksuar se Kosova përkrah integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian, megjithatë, ne asnjëherë nuk do të pranojmë për një vend aspirant, si Serbia, të minojë shtetësinë e Kosovës dhe të kontrollojë pjesë të territorit të saj përmes strukturave ilegale të sigurisë.

“Prandaj, ne besojmë që ka ardhur koha për Serbinë të largojë bllokadat, të shpërndajë strukturat e saja të sigurisë dhe të pranojë modelin evropian të menaxhimit të integruar të kufirit ndërmjet dy vendeve tona. Ne jemi shumë të përcaktuar në zbatimin e plotë të Planit të Ahtisaarit si modeli më i mirë i menduar për integrimin e serbëve të Kosovës. Sipas këtij plani, serbët e Kosovës në këto tri komuna mund të kenë vetëqeverisje të plotë që asnjë komunitet tjetër sot në Evropë mund të gëzojë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Në fund, ministri Hoxhaj ka përsëritur se Qeveria e Kosovës është e përcaktuar të iu sigurojë të gjithë qytetarëve një të ardhme paqësore dhe prosperuese që ata meritojnë.

“Ne jemi të vendosur t’i integrojmë qytetarët në këtë pjesë të Kosovës me pjesën tjetër të shtetit, dhe të mbajmë kufijtë tanë të njohur ndërkombëtarisht. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të komunikuar me serbët e Kosovës dhe nuk do të kursejmë resurset tona për të mundësuar krijimin e institucioneve të lira dhe demokratike në veri ku njerëzit duhet të jetojnë të lirë dhe pa frikë”, ka shtuar ai.

Ministri Hoxhaj ka theksuar se Qeveria e Kosovës do t’i ushtrojë të drejtat legjitime për të garantuar ligj, rend dhe paqe në tërë territorin e saj, derisa komunat në veri janë pjesë e Kosovës dhe do të jenë ashtu gjithmonë.

“Ne kurrë nuk do të pranojmë status quo-së, një situatë të ngrirë apo ndarje etnike ashtu siç promovohet nga nivele të larta të Serbisë. Dhe mendoj se ka ardhur koha, pas 20 vjetëve, për Serbinë të definojë interesat nacionale në kuptimin e integrimit politik dhe zhvillimit ekonomik, dhe jo në kuptimin e territorit. Serbia duhet të pajtohet me Kosovën e pavarur; ne mbesim të gatshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dhe qëllimi politik i qeverisë time është integrimi i Kosovës në institucione euro-atlantike”, ka thënë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj gjatë fjalimit të mbajtur para përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)