15 Janar 2025

Hoxhaj në Lituani, merr përkrahje për MSA-në dhe vizat

Vilnius, 3 prill – Pas vizitës në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar një vizitë zyrtare në Lituani, ku sot është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme, Linas Linkevičius.

Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Linkevičius kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale dhe integrimin e Kosovës në komunitetin euroatlantik.

Ministri Hoxhaj e informoi homologun lituanez për forcimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për angazhimin e Kosovës për të çuar përpara proceset integruese.

Hoxhaj tha se objektiv afatshkurtër i Kosovës mbetet nënshkrimi i MSA-së, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në partneritetin për paqe të NATO-s. “Biseduam për tre objektiva strategjike që ka Republika e Kosovës. Së pari liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit, me qëllim që ata të udhëtojnë pa viza drejt Evropës. Së dyti nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, e cila është një marrëdhënie kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Dhe së treti, anëtarësimin e Kosovës në partneritet për paqe. Unë besoj që do ta kemi mbështetjen e Lituanisë për të tri këto fusha të rëndësishme”, tha ministri Hoxhaj, pas takimit.

Ministri i Punëve të Jashtme i Lituanisë, Linas Linkevičius, vlerësoi progresin në Kosovë, duke ofruar mbështetjen e plotë të Lituanisë për anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat euroatlantikë.
Ai po ashtu theksoi rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së dhe NATO-së për stabilitetin në rajon dhe më gjerë. “Procesi i integrimit duhet të lëviz përpara sepse kjo është e rëndësishme jo vetëm për shtetet, por edhe për rajonin dhe për Evropën”, tha Linkevičius.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë theksoi se dy shtetet kanë mundësi të mëdha bashkëpunimi përmes projekteve bilaterale dhe evropiane, në fusha konkrete.

Ndërkaq, ministri Hoxhaj shprehu vullnetin e Republikës së Kosovës për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë për thellimin e  bashkëpunimit ekonomik, arsimor dhe kulturor ndërmjet dy vendeve.  Ai po ashtu shprehu mirënjohje për kontributin që Lituania ka dhënë në Kosovë, si dhe angazhimin e saj për nisjen e negociatave për MSA-në gjatë presidencës së Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë ditës do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve baltike dhe të Ballkanit, i cili organizohet me rastin e 10 vjetorit të anëtarësimit të Lituanisë në NATO.

---
Të nderuar përfaqësues të medieve elektronike, në këtë link në Youtube ( http://www.youtube.com/watch?v=JNCMTBxoW7w ) si dhe në e-mailin pasues mund të gjeni video/pamjet nga takimi i ministrit Enver Hoxhaj me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkevičius, si dhe nga një deklaratë të ministrit Hoxhaj dhe ministrit Linkevičius, pas takimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)