26 Dhjetor 2024

Hoxhaj: Ndarja e Kosovës ide shumë e rrezikshme

Paris, 2 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovë, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Francë, përveç takimeve të shumta me udhëheqës të lartë të institucioneve franceze, ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të jetës akademike dhe shoqërisë civile në Paris.

Të enjten, Ministri Hoxhaj ka dhënë edhe një intervistë për gazetën prestigjioze franceze “Le Monde”.

Në këtë intervistë, Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ka thënë se ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme, që do të shkaktonte dhunë dhe jostabilitet në rajon.

Hoxhaj, po ashtu ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta mbështesë Republikën e Kosovës në të gjitha aspektet.

Në pyetjen rreth qëndrimit të tij pas arrestimit të Ratko Mlladiqit, Ministri Hoxhaj ka thënë se ky është një lajm i mirë, mirëpo i vonuar. Sipas tij, arrestimi Mlladiqit ka qenë një obligim që është dashur të kryhet shumë kohë më parë, dhe se megjithatë, ky arrestim i kontribuon procesit të pajtimit rajonal.

“Mirëpo, arrestimi i Ratko Mlladiqit nuk është i mjaftueshëm. Për Serbinë është kruciale të fillojë reformat nga brenda në mënyrë që në këtë vend të implementohen standardet evropiane dhe të normalizohen raportet me Kosovën. Përkundrazi, Serbia po tenton të krijojë tensione jashtë kufijve të saj. Nuk është në interes të Bashkimit Evropian që t’i jap statusin e “vendit kandidat” një vendi që  mban probleme të pazgjidhura me fqinjët e tij, siç është me Bosnjën, ku po mundohet që të vejë në pyetje marrëveshjen e Daytonit ose me Kosovën, ku po mbështet ndarjen e veriut të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse, në pyetjen e “Le Monde” se si e sheh faktin se përkundër nisjes së dialogut Beograd-Prishtinë nën ombrellën e BE-së, Qeveria serbe ka lansuar idenë e ndarjes së Kosovës, Ministri Hoxhaj ka thënë se dialogu është teknik dhe është një instrument i mirë i cili ka për qëllim zgjidhjen e problemeve praktike.

“Ky dialog është i fokusuar në bashkëpunimin rajonal, lirinë e lëvizjes dhe perspektiven evropiane. Kemi të bëjmë me një dialog midis dy shteteve të barabarta. Serbia po e keqpërdor që tre muaj: në çdo takim me përfaqësues Evropian, Qeveria e këtij shteti propozon ndarje etnike. Për ne kjo është vijë e kuqe. Ndarja e Kosovës është një ide shumë e rrezikshme e cila do të kishte një “efekt domino“ në rajon dhe do të prodhonte dhunë dhe jostabilitet”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri, po ashtu, ka thënë se në këto tre vite, që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është një vend stabil, shtet funksional dhe se integrimi minoriteteve në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës është më i mirë se në shumë shtete në rajon.

“Situata në veriun e Kosovës është e imponuar dhe projektuar nga jashtë, ku Beogradi po tenton që të krijoj një konflikt të ngrirë, mirëpo pa sukses”, ka thënë ai.

Kurse, në pyetjen rreth mundësisë së dhënies së një statusit special për Veriun e Kosovës, Ministri Hoxhaj e ka mohuar kategorikisht një mundësi të tillë.

“Absolutisht jo. Një status special do të ishte njësoj sikur të ndërrohet marrëveshja e Deytonit në Bosnjë. Edhe në vitet e 1990-ta, kur ishim të okupuar nga regjimi serbe vizioni i jonë ka qenë të krijojmë një shtet heterogjen dhe assesi monoetnik. Etniciteti nuk është më problem në vendin tonë”, ka thënë Hoxhaj. Ai po ashtu është shprehur krenar që Kosova po e zbaton planin e Ahtissarit, plan i cili ofron garancitë më të mira për integrimin e minoriteteve.

“Veriu është pjesë e Kosovës. Aty kemi një prezencë të strukturave paralele serbe. Ky është një problem politik. Është misioni EULEX, i cili ka përsipër këtë rajon. Në përgjithësi ky mision po kryen punë të mirë në vend, mirëpo mund të bëjë më shumë në Veri. Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë presion ndaj Beogradit që të mos flitet më për këto struktura paralele. Serbia nuk mund të ketë “një këmbë” në Republikën Serbe në Bosnjë, ”një këmbë” në veri të Kosovës dhe “një këmbë” në Bruksel”, ka thënë Ministri Hoxhaj.

Ndërsa, në pyetjen rreth luftimit të korrupsioni dhe krimit të organizuar në Kosovë, ai ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare ka ndërtuar institucionet kosovare nga zeroja dhe se për tri vite nuk mund të ketë mrekulli.

“Kosova ka qenë pjesa më e pazhvilluar në ish-Jugosllavi. Vendi ka nevojë që të ndihmohet nga Evropa, jo vetëm për një shtet ligjor por edhe për zhvillimin e tij. Do të ishte një mesazh i keq në rast se Kosova mbetet i vetmi vend i izoluar në rajon, pa lirinë e udhëtimeve për qytetarët e saj, pa një raport kontraktual me Brukselin”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës,  Enver Hoxhaj, në intervistën për “ Le Monde”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)