Hoxhaj merr premtime për njohje nga Botsuana dhe Sudani i Jugut
New York, 26 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në New York ku po mbahet sesioni i 68-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takua sot me ministrat e Punëve të Jashtme të Botsuanës dhe Sudanit Jugor, ku ka kërkuar njohjen e Kosovës nga këto dy shtete.
Pas vizitës zyrtare që ministri Hoxhaj ka zhvilluar në Botsuana në mars të këtij viti, takimi i sotëm me ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Botsuanës, Phandu T.C Skelemani në New York, konfirmoi qëndrimin se njohja e Kosovës nga Botsuana është çështje procedurash.
Gjatë takimit, Hoxhaj e ka informuar homologun nga Botsuana për progresin që po arrihet në shtetin e Kosovës, me theks të veçantë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Ministri Hoxhaj ndër të tjera foli edhe për avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve, përfshirë vendimin e Grenadës dhe Libisë për njohjen e Kosovës, dialogun me Serbinë, stabilitetin politik dhe ekonomik si dhe gatishmërinë e Prishtinës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Ministri i Punëve të Jashtme i Botsuanës, Phandu T.C Skelemani e përgëzoi ministrin Hoxhaj për progresin në shtet ndërtimin e Kosovës.
Ministri Enver Hoxhaj, gjatë ditës është pritur në takim në Misionin Permanent të Sudanit të Jugut në Kombet e Bashkuara, nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të këtij shteti, Barnaba Marial Benjamin.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj kërkoi njohjen e Kosovës nga vendi më i ri në botë, duke theksuar se ndërmjet Kosovës dhe Sudanit të Jugut ekzistojnë ngjashmëri në kauzën e përbashkët si dy shtete të lira.
Hoxhaj theksoi se Kosova gëzon simpati për Sudanin Jugor dhe është e gatshme të ndihmojë në shumë fusha, përfshirë bujqësinë dhe veterinarinë, edukimin, teknologjinë informative etj.
Ministri i Jashtëm i Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin, konfirmoi që njohja e Kosovës është çështje kohe.
Ai po ashtu e ftoi ministrin Hoxhaj për vizitë zyrtare në Sudanin e Jugut, në dhjetor të këtij viti.