11 Janar 2025

Hoxhaj merr përkrahjen e Bundestagut gjerman

Berlin, 15 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në ditën e parë të vizitës zyrtare në Berlin ka takuar përfaqësuesit kryesorë të grupeve parlamentare të Bundestagut gjerman.

Hoxhaj është takuar edhe me këshilltarin e kancelares Merkel për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Christoph Heusgen, ku ka marrë mbështetje të fuqishme për proceset në Kosovë.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare të Bundestagut për perspektivën evropiane të Kosovës dhe që kjo rrugë të mos ndërlidhet me epilogun e dialogut.

“Republika e Kosovës ka pas një qasje shumë serioze dhe konstruktive në këtë dialog. Andaj, pavarësisht epilogut të tij, Bashkimi Evropian duhet të fillojë dialogun për MSA-në me Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë takimit me grupin më të madh parlamentar CDU/CSU, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e tyre për procesin e dialogut dhe perspektiven evropiane të Kosovës.

Gjatë takimit me ministrin Hoxhaj, Andreas Schockenhoff, anëtar i Grupit Parlamentar të CDU/CSU, u shpreh i zhgënjyer me refuzimin e propozimit të baroneshës Ashton nga zyrtarët në Beograd.

“Jemi shumë të dëshpëruar që Beogradi ka refuzuar propozimin e Ashtonit. Nga këndvështrimi ynë është e papranueshme që brenda shtetit të Kosovës të ketë korniza të ndryshme ligjore dhe entitete të ndryshme. Prandaj duhet të ketë vazhdim të dialogut”, ka thënë Schockenhoff.

Ai ka thënë po ashtu se në këtë proces bëhet fjalë për dy shtete që rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-së duhet të bëjnë të pavarura nga njëra-tjetrës dhe duke mbështetur njëra-tjetrën.

Ministri Hoxhaj ka thënë se pa implementimin e marrëveshjeve, ato edhe nëse arrihen nuk do të kenë ndonjë vlerë.

“Nuk është i rëndësishëm vetëm normalizimi i situatës në veri, por edhe normalizimi i relacioneve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se çdo zgjidhje që çon në krijimin e ndonjë etniteti me fuqi ekzekutive në veri të Kosovës, është e papranueshme dhe e rrezikshme.

“Ide të tilla krijojnë vetëm ndarje të brendshme”, ka thënë Hoxhaj, duke hedhur poshtë çdo mundësi që brenda Kosovës të aplikohen opsione të ngjashme me “Republika Srpska”.

Ministri Hoxhaj ka njoftuar grupet kryesore parlamentare gjermane për progresin në Kosovë, me procesin e shtetndërtimit dhe fuqizimit të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Ai ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimeve me Gjermaninë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës.

Në anën tjetër, Gernot Erler, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrate (SPD) në Bundestagun gjerman, gjatë takimit me ministrin Hoxhaj ka shprehur përkrahjn për Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në proceset integruese në Bashkimin Evropian, duke filluar që nga procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri Hoxhaj sot në Berlin është takuar dhe ka marrë mbështetjen edhe të përfaqësuesve të Partisë së të Gjelbërve të Gjermanisë për Kosovën.

Gjatë ditës, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Fonadacionit “Konrad-Adenauer-Stiftung”, Hans-Gert Pöttering.  Hoxhaj dhe Pöttering  u pajtuan se Kosova është shembulli më i mirë i shtetndërtimit.

Ministri Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes nga ky fondacion për Republikën e Kosovës dhe në veçanti për zhvillimin e partive politike.

Ministri Hoxhaj ka takuar edhe përfaqësues të Fondacionit “Körber-Stiftung”, nga të cilët ka kërkuar mbështetje për Kosovën.

Në mbrëmje, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës , Enver Hoxhaj, do të mbajë një ligjëratë në Akademinë Evropiane të Berlinit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)