Hoxhaj merr mbështetjen e Presidencës Italiane
Dubrovnik, 12 korrik - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Kroacisë në Dubrovnik, ka zhvilluar një sërë takimesh me ministra të jashtëm evropianë dhe Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule.
Në këto takime, Hoxhaj ka marrë mbështetjen e tyre për ta nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën dhe proceset e tjera integruese, veçmas procesin e liberalizimit të vizave.
Në takimin me ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, që udhëheq edhe me Presidencën e BE-së, Hoxhaj ka shprehur domosdoshmërinë e nënshkrimit të MSA-së që e ka quajtur punë javësh dhe datën për vizat deri në fund të vitit.
Gjatë ditës së sotme kam takuar shumë ministra të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Këtu dua të përmendi edhe takimin që kisha me ministren e Punëve të Jashtme të Italisë, e cila udhëheq Presidencën e Bashkimit Evropian si dhe komisonerin Fule. Mund të them në bazë të këtyre takimeve që nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit është çështje javësh, nuk është çështje muajsh dhe do të ndodhë shumë shpejt, si dhe nga ta kam marrë konfirmim të plotë që deri në fund të vitit 2014 do të merret vendimi për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë pa viza drejt Evropës, ka deklaruar ministri Hoxhaj.
Takime të tjera, Hoxhaj ka zhvilluar edhe me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fule, me të cilin po ashtu ka biseduar për proceset e përbashkëta integruese Kosovë-BE.
Kryediplomati kosovar po ashtu ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Corleaten, atë të Suedisë, Carl Bildt, zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë dhe të Kanadasë, të cilët i ka falënderuar për përkrahjen që po ia japin Kosovës në forumet multilaterale dhe BE.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka marrë pjesë përgjatë dy ditëve në Forumin e Kroacisë në Dubrovnik, ku dhe ka folur për sfidat e vlerave evropiane dhe procesin integrues të Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrësve me një fjalim u është drejtuar edhe Ndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Victoria Nuland.