28 Prill 2024

Hoxhaj merr mbështetje të fuqishme për njohje nga Egjipti

Kajro, 12 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e parë të vizitës në Egjipt, ka marrë premtime nga liderët politikë dhe shpirtërorë se Kajro shumë shpejt do ta njohë shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka marrë mbështetje të fuqishme nga përfaqësues të lartë të Organizatës së Ligës Arabe, ku nga 22 shtete anëtare, vetëm 10 kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.

Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, dr. Nabil Al Arabi, Ministri Hoxhaj është siguruar se 12 shtetet anëtarë të kësaj organizata që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ministri Hoxhaj në këtë takim ka kërkuar nga Al Arabi që të ushtrojë ndikimin e tij tek shtetet anëtare të Ligës Arabe që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, Sekretari i Ligës Arabe, dr. Nabil Al Arabi ka thënë se Egjipti dhe shtetet e tjera anëtarë të Ligës Arabe nuk kanë më kurrfarë arsyeje të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

“Ne kemi simpati për popullin dhe pavarësinë e Kosovës. Ne do t’ju mbështesim dhe do të kërkojmë nga shtetet anëtare të Ligës Arabe që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. Unë nesër do t’i takoj të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme të 22 shteteve anëtare, do t’i njoftoj me takimin që patëm dhe do ta shtroj kërkesën tuaj për njohje”, ka thënë Al Arabi.

Në një konferencë për medie, Ministri Hoxhaj ka falënderuar z. Al Arabi për mbështetjen që Egjipti dhe Organizata e Ligës Arabe i ka dhënë Republikës së Kosovës në vitet e shkuara. “Ne kemi marrë mbështetje të fuqishme për pavarësinë e Kosovës. Ne besojmë se Egjipti përveç që do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ai po ashtu do të ushtrojë ndikimin e tij në tërë botën arabe”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka përshëndetur ndryshimet demokratike në Egjipt, duke thënë se populli i Kosovës gjithmonë ka qenë përkrah popullit të Egjiptit në kauzën e tij për liri, dinjitet dhe demokraci.

Ministri Hoxhaj në ditën e parë të vizitës në Egjipt ka marrë mbështetje edhe nga liderët politikë në Kajro.

Në një takim që ka zhvilluar me kandidatin kryesor për president të Egjiptit, Amr Moussa, Hoxhaj ka marrë premtime se Egjipti menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Në takim unë i thashë Ministrit Hoxhaj se Egjipti shumë shpejt do të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtu nuk ka më dilemë. Por, fillimisht duhet të mbahen zgjedhjet demokratike në Egjipt”, ka thënë Moussa.

Nga ana tjetër, Ministri Hoxhaj ka theksuar se njohja nga ana e Egjiptit nuk është vetëm numër, por është një përmbyllje e miqësisë sonë historike.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po ashtu ka zhvilluar një takim me Kryemyftiun e Egjiptit, Sheikh Ali Goma\'a. Ministri Hoxhaj ka falënderuar myftiun për mbështetjet që i ka dhënë pavarësisë së Kosovës në Egjipt dhe vende të tjera myslimane.

Kryemyftiu Ali Goma\'a ka thënë se në tri vjetët e fundit ai vazhdimisht ka kërkuar nga Qeveria e Egjiptit dhe vendet e tjera islamike që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës. “Tani ka ardhur koha që kjo të ndodhë. Çështja e njohjes është shumë afër. Ne do të mbështesin popullin e Kosovës edhe në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, gjatë ditës ka takuar edhe udhëheqësit e revolucionit demokratik në Egjipt, në Sheshin Tahrir, ku është përshëndetur nga dhjetëra qytetarë të pranishëm.

Ministri Hoxhaj në ditën e dytë të vizitës do të takojë të gjithë liderët politikë të partive më të mëdha si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medieve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)