Hoxhaj mban fjalim në KPJ të Asamblesë Nacionale të Francës
Paris, 1 qershor - Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Francë, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka mbajtur një fjalim para më se 50 anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Asamblesë Nacionale të Republikës së Francës.
Në fjalën e tij, Ministri Hoxhaj është fokusuar te shtetndërtimi dhe stabiliteti i Kosovës, te implementimi i Pakos së Ahtisaarit për të drejtat e minoriteteve si dhe te përmbyllja e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës.
Ministri Hoxhaj fillimisht ka bërë një përshkrim të detajuar të shtetndërtimit në Kosovë, progresin që është shënuar në tri vjetët e pavarësisë dhe përpjekjet e Kosovës për të forcuar pozitën ndërkombëtare.
Krahasuar me marrëveshjen e Dayton-it në Bosnje dhe Hercegovinë dhe me marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni, Kosova ka implementuar 85 për qind të Pakos së ish-përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj i është përgjigjur interesimit të madh dhe shumë pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme franceze.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ministri Hoxhaj ka thënë se brenda një kohe shumë të shkurtër populli dhe institucionet e Kosovës kanë tejkaluar dy kriza kushtetuese dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke dëshmuar pjekuri politike dhe rikthim të besimit tek institucionet e pavarura.
Qeveria dhe populli i Kosovës respekton institucionet e veta dhe njeh rolin e rëndësishëm të pavarësisë së Gjykatës, si mbrojtëse e Kushtetutës së Kosovës. Ky është një shembull i shkëlqyeshëm për përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Asamblesë Nacionale të Francës, Axel Polniatowski e ka quajtur mundësi unike për të mësuar më shumë për zhvillimet në Kosovë, praninë e Ministrit Hoxhaj në këtë takim.
Interesimi ka qenë shumë i madh. Kosova ka bërë shumë përparime në rrugën e saj Evropiane. Deputetët kanë pasur mundësi që të marrin informacione nga dora e parë për progresin dhe sfidat që e presin Kosovës, ka thënë Polniatowski.
Ministri Hoxhaj, po ashtu, ka takuar një grup të madh të deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Francës, Deskun e Kosovës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe deputetët, anëtarë të Grupit të Miqësisë Francë Kosovë, të Parlamentit francez.
Ministri Hoxhaj, ka zhvilluar një takim edhe me Ministrin e Industrisë, Energjisë dhe Ekonomisë Digjitale, Éric Besson, i cili më herët ka qenë Ministër i Imigrimit dhe Integrimeve në Qeverinë e Francës.