Hoxhaj lobon për njohje te vendet afrikane
Bruksel, 2 prill - Në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar në Bruksel, në margjina të samitit BE Afrikë, ministrin e Jashtëm të Eritreas, Osman Saleh, si dhe ministrin e Jashtëm të Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin.
Gjatë takimeve, ministri Hoxhaj i njoftoi dy ministrat për progresin e brendshëm në Kosovë, si dhe fuqizimin e shtetësisë e të subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj po ashtu foli për avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve të Kosovës, si dhe për angazhimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare.
Pas takimit, ministri Hoxhaj tha se dy vendet në një të ardhme të afërt pritet ta njohin Republikën e Kosovës.
Kam marrë konfirmim zyrtar që të dy vendet në një të ardhme të afërt do ta njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. Me këtë, dëshmohet që procesi i njohjes është i pandalshëm dhe që gjeografia e saj është globale, theksoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Eritreas, Osman Saleh, tha se vendi i tij përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë, duke vlerësuar pozitivisht rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Saleh po ashtu tha se Eritrea përkrah të drejtën për vetëvendosje të popujve dhe se në këtë kontekst do të marrë hapat e nevojshëm për të forcuar marrëdhëniet me Kosovën.
Ministri i Jashtëm i Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin, tha se shteti i tij përkrah Kosovën dhe rrugën e saj për të shtuar numrin e njohjeve, duke paralajmëruar se nga Sudani Jugor priten lajme pozitive për forcimin e marrëdhënieve me Kosovën.