11 Janar 2025

Hoxhaj: Kosova, storie e suksesit

Berlin, 23 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në konferencën e ministrave të jashtëm të shteteve të Evropës Juglindore në Berlin, ka mbajtur një fjalim para pjesëmarrësve, në mesin e të cilëve ishin ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, i Hungarisë, e Kroacisë, i Shqipërisë, i Bosnje e Hercegovinës, i Malit të Zi, i  Maqedonisë dhe zëvendësministri i Jashtëm i Serbisë, si dhe përfaqësues nga SHBA-të dhe Turqia.

Gjatë ligjëratës me temë “Quo Vadis, Ballkani Perëndimor”, ministri Hoxhaj ka folur për proceset në Ballkan, gjatë dekadave të fundit.

Hoxhaj ka thënë se pas dy dekadash të luftërave dhe të spastrimeve etnike, Ballkani përfundimisht është në një rrugë të stabilitetit të plotë, ku roli i Bashkimit Evropian, ka qenë roli i një projekti të paqes, i sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Sipas tij, kjo ka ndodhur falë mbështetjes evropiane dhe amerikane për rajonin.

“Mirëpo tash, në vitin 2012, agjenda euroatlantike për Ballkanin, që ka pas për qëllim sigurinë dhe stabilitetin rajonal, ka filluar të zëvendësohet me një agjendë të qartë të perspektivës evropiane dhe të rrugës së anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit.\"

\"Në këtë drejtim evropianizimi i rajonit tashmë është një modernizim i rajonit, që nënkupton jo vetëm ndërtimin e institucioneve demokratike, por edhe trasnformimin e thellë të çdo shteti dhe shoqërie në Ballkan”, tha Hoxhaj, duke shtuar se për këtë arsye në Kosovë integrimi evropian nuk nënkuptohet si importim apo bartje e Kosovës në Evropë, por si ndërtim i një Kosove evropiane brenda për brenda saj.

Më tutje, ministri Hoxhaj, ka folur për progresin në Kosovë, në vitet e fundit.

Ai tha se gjatë këtyre pesë vjetëve, Republika e Kosovës është dëshmuar si storie e suksesit të mbështetjes evropiane dhe amerikane, duke iu referuar largimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Kjo e ka bërë sovranitetin e Kosovës të plotë dhe e ka forcuar përgjegjësinë e institucioneve tona”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se  largimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare është dëshmi e një suksesi të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.

Hoxhaj tha se Kosova ka hyrë në një fazë të rëndësishme të integrimeve evropiane, që siç tha ai, u konfirmuar edhe në studimin e fizibilitetit, të prezantuar në tetor të këtij viti e i cili konfirmon hapjen e negociatave me BE-në për Kosovën, për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

“Ky do të ishte hapi vendimtar i Kosovës në rrugën e saj evropiane, përkundër asaj që Kosova në krahasim me dinamikat e shteteve të tjera të rajonit, është disa vite prapa, meqë është shteti më i ri në rajon.\"

\"Në të njëjtën kohë, në kuadër të kornizës së integrimeve evropiane, Republika e Kosovës ka filluar procesin e normalizimit të relacioneve me Republikën e Serbisë, si dy shteteve të pavarura dhe sovrane.\"

\"Procesi do të mundësojë që të zgjidhen çështjet e hapura bilaterale ndërmjet dy shteteve, në interes të  qytetarëve”, tha Hoxhaj, duke shtuar se ky proces po ashtu do të mundësoj mbylljen e kaptinës së trashëgimisë së rëndë historike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe hapjen e një kaptine të bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe integrimit si dy shtete të pavarura në Bashkimin Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)