12 Janar 2025

Hoxhaj: Kosova, eksportuese e sigurisë në rajon

Shkup, 18 qershor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin ministror të Kartës SHBA-Adriatik (A5) në Shkup, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve në këtë samit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxhaj, ka thënë se Republika e Kosovës aspiron që të jetë një eksportues i sigurisë, duke u bazuar në modelin e saj shumë të suksesshëm të shtetndërtimit.

Para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut, zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Philip Reeker dhe personaliteteve të tjera të rajonit, ministri Hoxhaj ka theksuar se ky takim po mbahet afër dy ngjarjeve të rëndësishme: përvjetorit të intervenimit të NATO-s në ish-Jugosllav si dhe arritjes së marrëveshjes historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prill të këtij viti.

Duke falënderuar ambasadorin Reeker për kontributin në arritjen e marrëveshjes, ministri Hoxhaj tha se ky momentum tregon vendosmërinë për siguri dhe stabilitet ndërmjet dy vendeve, duke shpresuar se marrëveshja do t’i shërbej paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në Kosovë, Serbi, dhe tërë rajonin.

“Marrëveshja e arritur shënon fundin e një konflikti një shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe hap një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore. Si do që të jetë, kapitulli i ri duhet ende të shkruhet, prandaj për ne implementimi është aq i rëndësishëm sa edhe vetë nënshkrimi i marrëveshjes”, tha Hoxhaj.

Ai më tutje ka vlerësuar evoluimin e Kartës së Adriatikut, përmes mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara, duke u shndërruar në një mekanizëm shumë të përdorshëm për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe avancuar agjendën e integrimit euroatlantik.

“Miqësia e veçantë me Shtetet e Bashkuara dhe partneriteti strategjik me Gardën Kombëtare të Iowas na bën ne edhe më krenar dhe të fortë në objektivat tona euroatlantike afatgjate”, tha Hoxhaj, duke theksuar vullnetin e Republikës së Kosovës, për t’u bërë anëtar i plotë i Kartës SHBA-Adriatik.

Ai tha se Kosova ka aspirata që të bëhet një përkrahës aktiv dhe kontribuues i sigurisë kolektive.

“Nevoja për pjesëmarrjen e Kosovës në Kartën e Adriatik-SHBA, është në vijë të plotë me parimet e dyerve të hapura dhe perspektivën euroatlantike, siç është konfirmuar nga Samiti i Çikagos”, tha Hoxhaj, duke shtuar se  integrimi i Kosovës në këtë mekanizëm do të shënonte përparim në sigurinë ndërkombëtare, duke e bërë rajonin eksportues të paqes dhe sigurisë.

Ministri Hoxhaj tha se për Kosovën dhe qytetarët e saj, NATO është një simbol i lirisë, shpresës dhe sigurisë kolektive.

“Prandaj, jam krenar që përfaqësoj një vend i cili ka përkrahjen më të madhe publike, mbi 95 %, për integrimet euroatlantike. Kjo është sepse populli i Kosovës beson se një rajon i sigurt do të thotë më shumë rritje ekonomike dhe siguri njerëzore”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës vlerësoi se në pesë vitet e fundit, Kosova ka dëshmuar se është e vendosur për bashkëpunim në çështje të sigurisë, në adresimin e sfidave ndër-rajonale, sigurimin e kufijve, luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar, duke veçuar bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve kosovare të sigurisë dhe trupave të NATO-s.

“Duke iu falënderuar përkrahjes së NATO-s, Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur kapacitetet e saja të plota operacionale dhe është vlerësuar në rajon si një institucion kredibil dhe i besueshëm multietnik. Forca e Sigurisë e Kosovës është institucion i ndërtuar nga NATO dhe posedon standardet më të larta të NATO-s”, tha Hoxhaj, duke shtuar se me përmbylljen e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë në Kosovë, pritet transformimi i mandatit të FSK-së në përputhje me nevojat dhe në bashkëpunim të plotë me partnerët.

“Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të jetë në shërbim të paqes dhe sigurisë kolektive”, tha Hoxhaj.

Në fund, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha para të pranishmëve se Kosova synon të ruajë sigurinë afatgjate përmes anëtarësimit në NATO dhe pjesëmarrjes aktive në mekanizma të mbrojtjes dhe misione paqeruajtëse.

“Aspiratat tona janë të drejtuara kah shndërrimi në një eksportues të sigurisë bazuar në modelin tonë të suksesshëm të shtetndërtimit”, tha Hoxhaj, duke shtuar se Kosova është tani gati të kontribuojë në zgjidhjen e krizave jashtë vendit, përbrenda operacioneve paqësore të NATO-s.

Ai po ashtu theksoi se për Kosovën, mbrojtja kolektive do të thotë edhe veprim kolektiv edhe përgjegjësi kolektive.

“Kosova mbështet plotësisht integrimin e tërë vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat e NATO-s”, tha ministri Hoxhaj, duke shprehur besimin se Samiti i radhës i NATO-s do ta gjejë Kosovën më të integruar dhe dedikuar kundrejt objektivave të përbashkëta bazuar të rezultate të prekshme.

Ky takim i Kartës së Adriatikut,  me temën “Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të A5, para samitit të radhës së NATO-s”, shënon 10 vjetorin e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, promovon paqen, bashkëpunimin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, duke qenë edhe në shërbim të proceseve integruese euroatlantike të rajonit.

Në takim kanë marr pjesë ministrat e jashtëm dhe përfaqësues të lartë politik nga vendet anëtare të Kartës së Adriatikut dhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)