14 Janar 2025

Hoxhaj kërkon vazhdimin e përkrahjes së europarlamentarëve

Strasburg, 26 shkurt - Ministri i Jashtëm i  Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Strasburg ka mbajtur një ligjëratë para deputetëve të Parlamentit Evropian nga EPP, grupi më i madh partiak brenda këtij institucioni, ku ka folur për të arriturat e Kosovës dhe sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet vendi gjatë vitit 2014.

Ndër të arriturat e Kosovës, ministri Hoxhaj përmendi shtetndërtimin e suksesshëm gjatë viteve të fundit, fillimin e negocimit të MSA-së me BE-në, dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, si dhe të arriturat tjera në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Sa i përket agjendës politike gjatë vitit 2014, ministri Hoxhaj theksoi se Kosova synon që të përmbyll me sukses negocimin e MSA-së me BE-në si dhe të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave.

“Ka tri aspekte politike që e karakterizojnë vitin 2014 për Kosovën. Së pari, ekziston nevoja që edhe BE-ja të përshpejtojë procesin e vlerësimit të progresit të Kosovës në përmbushjen e kushtëzimeve për liberalizim të vizave. Një aspekt tjetër gjatë vitit 2014, është zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura me Serbinë, për të cilat Kosova është e vendosur në zbatimin e obligimeve të saj. Një aspekt i tretë për të cilin Kosova do të angazhohet tutje në vitin 2014 mbetet fuqizimi i shtetësisë së Kosovës, përmes marrjes së njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.

Në fund, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i falënderoi parlamentarët evropian për angazhimin e tyre në përkrahjen e integrimit të Kosovës në BE, si dhe kërkoi përkushtimin e tyre që në vitin 2014, BE-ja të rris angazhimin dhe përkrahjen e saj ndaj Kosovës.

Hoxhaj po ashtu ka pasur takime të veçanta edhe me shumë eurodeputetë.

Gjatë qëndrimit në Strasburg, ministri Hoxhaj ka pasur edhe një drekë pune me ambasadorët e disa shteteve në Këshillin e Evropës, ku ishin prezentë ambasadorët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Turqisë dhe Shqipërisë.

Një ditë më parë në Strasburg, ministri Enver Hoxhaj, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland, në kuadër të angazhimeve që të shtyjë përpara agjendën e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)