Hoxhaj kërkon udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave
Bruksel, 13 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, duke iu drejtuar Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka kërkuar nga Brukseli që Kosova të mos mbetet një shtet i harruar në zemër të Evropës.
Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Ministri Hoxhaj, ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë të institucioneve të BE-së, si dhe i është drejtuar me një fjalim Komisionit për Politikë të Jashtme të PE-së.
Nëse brenda këtij viti ne nuk do të marrim udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ky do të ishte mesazhi më negativ për qytetarët e Kosovës. Ne jemi qytetarët e vetëm në rajon që nuk kemi të drejtën e lëvizjes pa viza në Evropë. Do të ishte shumë keq nëse përçohet mesazhi se kosovarët janë popull i harruar. Prandaj, ne kërkojmë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, në mënyrë që të vazhdojmë përmbushjen e standardeve evropiane, ka thënë Hoxhaj, gjatë fjalimit para eurodeputetëve.
Hoxhaj ka njoftuar anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të PE-së, edhe për proceset aktuale dhe progresin e vazhdueshëm brenda Kosovës.
Ministri ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vazhdimin e reformave të gjithëmbarshme, duke e veçuar angazhimin prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit.
Por, nëse shteti i Kosovës është i vetmi vend që është i përjashtuar nga iniciativat dhe mekanizmat rajonal dhe evropian, ky ambient nuk është ambienti më i mirë për të zhvilluar biznes. Ne jemi duke operuar si një ishull i izoluar nga rajoni dhe Evropa. Prandaj, kërkojmë ndihmën tuaj që sa më shpejt, brenda këtij viti, Republika e Kosovës të ketë marrëdhënie kontraktuale, marrëdhënie tregtare me Bashkimin Evropian. Kjo do të ishte një ndihmë shumë e madhe dhe e drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës, ka thënë Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, gjatë ditës, ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Lunacek kanë biseduar për perspektiven evropiane të Kosovës, dhe mënyrat e përshpejtimit të këtij procesi. Ministri i Jashtëm i Kosovës dhe eurodeputetja austriake, kanë diskutuar edhe për mënyrat e përmbushjes sa më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave, duke u pajtuar se Kosova duhet të marrë gjatë këtij viti, udhërrëfyesin dhe të vendos marrëdhënie kontraktuale me BE-në.
Ndërkaq, gjatë takimit me Eduard Kukan, kryesues i delegacionit të PE-së në marrëdhëniet me Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë, Ministri Hoxhaj e ka falënderuar atë për mbështetjen që i ka dhënë rajonit dhe Kosovës në të gjitha proceset progresive të viteve të fundit.
Hoxhaj, e ka njoftuar eurodeputetin sllovak për progresin në Kosovë, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes së z. Kukan për avancimin e shpejtë të proceseve integrues të Kosovës në mekanizmat e BE-së, duke filluar që nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Në anën tjetër, Eduard Kukan ka thënë se Kosova ka perspektivë evropiane, duke shtuar se Kosova duhet të ketë trajtimin e njëjtë me shtete tjera të rajonit edhe sa i përket liberalizimit të vizave.
Pajtohem që qytetarët e Kosovës nuk po trajtohen njëjtë si qytetarët e tjerë të Ballkanit, sa i takon procesit të liberalizimit të vizave. Në këtë aspekt, BE-ja duhet të bëjë më shumë. I bëjmë thirrje Komisionit Evropian që mos të humbas kohë, por të fillojë dialogun për procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën dhe të jap udhërrëfyesin për këtë proces, tha Kukan.
Ministri Hoxhaj ka pasur një drekë punë edhe me Pierre Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në KE, gjatë të cilës është diskutuar për çështje konkrete që lidhen me proceset integruese të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, gjatë vizitës dy ditore në Bruksel, do të ketë edhe disa takime me ministra të Punëve të Jashtme të shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe me diplomatë të tjerë të akredituar në Bruksel.