Hoxhaj kërkon përkrahjen e Kanadasë
Otava, 24 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Kanada, sot është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, John Baird.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen që Kanadaja ka dhënë për Kosovën gjatë kohës së luftës dhe në procesin e shtetndërtimit.
Kanadaja ka qenë prej vendeve të para që e kanë njohur Kosovën dhe ka kontribuar me ndihma humanitare dhe forca të policisë në ruajtjen e sigurisë në Kosovë, ka thënë ndër të tjera ministri Hoxhaj, duke shprehur mirënjohje edhe për mbështetjen e Kanadasë për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB) dhe së fundmi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar edhe përkrahjen e Kanadasë për Kosovën në procesin e integrimeve euroatlantike.
Ai ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Kanadanë, duke përmendur inicimin e marrëveshjeve në bashkëpunim ligjor ndërkombëtar, për mbrojtjen e investimeve të dyanshme, për heqjen e taksës së dyfishtë dhe organizimin e forumit të investimeve ndërmjet dy vendeve.
Hoxhaj veçoi edhe përkrahjen e Kanadasë në procesin e njohjes.
Vlerësojmë lartë angazhimin e Qeverisë dhe popullit kanadez në mbështetjen e Kosovës në procese historike të vështira nëpër të cilat ka kaluar vendi dhe populli ynë, tha Hoxhaj.
Ai ka kërkuar mbështetjen e mëtejshme të Kanadasë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.
Anëtarësimi i Kosovës në këto organizata është plotësim i mozaikut tonë të shtetndërtimit, si dhe rritje e ofertës për komunitetet pakicë për të besuar në shtetin e Kosovës, tha Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kanadasë, John Baird, vlerësoi lartë progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës, duke theksuar përkrahjen e mëtutjeshme të Kanadasë për Kosovën.
Ministri Baird shprehu vullnetin e Qeverisë kanadeze për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me Kosovën.
Baird po ashtu shprehu përkrahjen e Kanadasë për proceset integruese euroatlantike të Kosovës, si dhe për rrugën e Kosovës drejt fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.