11 Janar 2025

Hoxhaj kërkon përkrahjen e Greqisë për anëtarësim në KE

Athinë, 9 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Greqi është takuar me Dora Bakoyannis, ish- ministre e Punëve të Jashtme, deputete e Parlamentit grek dhe anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ministri Hoxhaj e ka njoftuar ish-ministren e Jashtme greke për progresin e gjithanshëm në Kosovë dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve.

Në këtë kontekst, Hoxhaj ka theksuar qasjen e Kosovës sa i takon marrëdhënieve me Greqinë, në mënyrë që nga bashkëpunimi bilateral të lëvizet drejt njohjes së Kosovës nga Greqia.

“Për Republikën e Kosovës, Greqia është partner i fuqishëm ballkanik e rajonal si dhe partner i fuqishëm evropian, si anëtare e BE-së”, ka thënë Hoxhaj.

Ai po ashtu ka vlerësuar kontributin e Greqisë në ndërtimin e një Kosove moderne, duke kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tutje, veçanërisht në proceset integruese evropiane.

“Kosova do të jetë përherë shtet sovran dhe i pavarur në Ballkan, do të jetë pjesë e peizazhit të shteteve të pavarura andaj është shumë me rëndësi që të kemi bashkëpunim bilateral ndërmjet Kosovës dhe Greqisë”, tha Hoxhaj.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast, ministri Hoxhaj ka kërkuar nga deputetja Bokoyannis mbështetjen e Greqisë dhe të sajën personalisht për finalizimin e këtij procesi.

“Anëtarësimi i Kosovës në KE është ndër hapat më vendimtar në anëtarësimin e shtetit tonë në sistemin ndërkombëtar dhe shpresojmë që deputetët e Parlamentit grek dhe Qeveria greke do të na mbështesin në këtë rrugë”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, Dora Bakoyannis, deputete e Parlamentit të Greqisë dhe anëtare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka vlerësuar progresin në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e saj për proceset integruese të Kosovës.

Gjatë vizitës në Greqi, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar takime dhe me disa deputetë të tjerë të Parlamentit si dhe përfaqësues politikë, diplomatë e gazetarë në Athinë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)