Hoxhaj kërkon njohjen nga Fixhi
Prishtinë, 23 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj pas qëndrimit në New York, ka vazhduar vizitën e tij disa ditore në shtete të Oqeanisë.
Ministri Hoxhaj sot ka qëndruar në Republikën e Ishujve Fixhi, ku ka zhvilluar shumë takime me përfaqësues të këtij shteti.
Hoxhaj është pritur në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Fixhit, Ratu Inoke Kubuabola.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga homologu i tij vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Mirëpo, sipas Hoxhajt, parakusht për vendosjen e marrëdhënieve të tilla, është së pari njohja formale nga ana e Fixhit.
Në këtë takim, Ministri Hoxhaj ka thënë se Republika e Kosovës është e interesuar që të ketë jo vetëm marrëdhënie diplomatike, por edhe shkëmbim ekonomik, tregtar, bashkëpunim në fushën e arsimit dhe kulturës me Fixhin.
Duke folur për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Hoxhaj ka theksuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka sjell në vitin 2010 një verdikt të qartë sa i takon ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.
Prandaj sot asnjë vend në botë nuk ka ndonjë arsyeje politike apo juridike që të shtyjë vendimin për të njohur pavarësinë e Kosovës, ka shtuar Hoxhaj.
Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Fixhit, Ratu Inoke Kubuabola ka mirëpritur vizitën e parë të Ministrit të Jashtëm të Kosovës në këtë vend dhe ka thënë që Qeveria dhe populli i Fixhit kanë simpati për popullin e Kosovës.
Sipas Ministrit Kubuabola çdo herë Fixhi ka pas mirëkuptim për aspiratat e Kosovës që të jetë vend i pavarur si dhe ka një qëndrim shumë pozitiv sa i takon njohjes së Republikës së Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtëm, Enver Hoxhaj gjatë vizitës në shtete të ndryshme të Oqeanisë, ka zhvilluar një takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Naurusë, Kieren Keke, vendi i të cilit ka njohur Republikën e Kosovës me 23 prill 2008.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar atë për vendimin që kanë marr për të njohur pavarësinë e Kosovës, e cila ka prodhuar paqe, siguri dhe stabilitet në Evropë.
Në ditët në vijim, Ministri Hoxhaj do të vazhdojë vizitat dhe takimet me përfaqësues të shteteve të tjera në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve për Republikën e Kosovës.