Hoxhaj kërkon njohje nga shtetet e Amerikës Latine dhe Karaibeve
Antigua, 21 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë kësaj jave po viziton disa vende të Amerikës Latine dhe të Karaibeve, në kuadër të agjendës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për të rritur numrin e njohjeve për Kosovën.
Hoxhaj ka takuar disa përfaqësues të lartë të shteteve latinoamerikane, kryeministra, ministra të Punëve të Jashtme, diplomatë dhe personalitete të tjerë, prej të cilëve ka marrë mbështetje që disa nga këto shtete do të lëvizin pozitivisht drejt njohjes së Kosovës.
Ministri Hoxhaj ka shprehur vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës që në çdo formë dhe çdo kusht të përmbyllet procesi i njohjeve të Republikës së Kosovës si dhe integrimi i saj në komunitetin e shteteve të pavarura dhe sovrane.
Në këto takime, ministri Hoxhaj ka thënë se aspirata e popullit të Kosovës ka qenë e njëjtë sikur aspiratat e shumë vendeve të kësaj pjese të botës për liri, demokraci dhe pavarësi, duke përshkruar lëvizjet dhe luftërat e qytetarëve të Kosovës kundër diskriminimit politik, etnik dhe ekonomik.
Hoxhaj ka falënderuar këto vende që kanë mbështetur Kosovën në organizatat ndërkombëtare politike, financiare dhe ekonomike.
Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila përfundimisht e ka përcaktuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, asnjë vend nuk ka arsye që ta shtyjë vendimin për ta njohur pavarësinë e Kosovës, ka thënë Hoxhaj, gjatë takimeve me burrështetas të kësaj pjese të botës.
Ministri Hoxhaj, gjatë vizitës në Amerikën Latine, ka zhvilluar një takim të veçantë edhe me kryeministrin e shtetit të Antigua dhe Barbudas, Winston Baldwin Spencer.
Ministri Hoxhaj dhe kryeministri Spencer kanë biseduar për njohjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga Antigua dhe Barbuda.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka kërkuar përkrahjen dhe njohjen e Kosovës nga Antigua dhe Barbuda, duke theksuar se Republika e Kosovës tashmë është një shtet funksional, prosperues, stabil dhe multi-etnik me një shoqëri diverse dhe me një ekonomi me rritje të qëndrueshme.
Kryeministri Spencer ka shprehur mirëkuptimin dhe mbështetjen e tij për progresin që po arrihet në Kosovë, si dhe ka thënë se Antigua dhe Barbuda do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në kuadër të proceseve në Kombet e Bashkuara.