12 Janar 2025

Hoxhaj kërkon ndryshimin e 1244 dhe anëtarësim në OKB

New York, 29 gusht - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë fjalimit të mbajtur të enjten në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka kërkuar që të ndryshohet rezoluta 1244 dhe që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Ministri Hoxhaj para anëtarëve të KS të OKB-së ka prezantuar zhvillimet kryesore politike që kanë ndodhur në Kosovë, gjatë tre muajve të fundit.

Hoxhaj është fokusuar posaçërisht në gjendjen e zbatimit të marrëveshjes së normalizimit te marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, progresin e jashtëzakonshëm drejtë integrimit në BE dhe ruajtjen e stabilitetit dhe progresit të arritur në një numër çështjesh të brendshme.

Lidhur me procesin e bisedimeve në Bruksel, ai tha se që nga 19 Prilli, janë mbajtur pesëmbëdhjetë takime ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe Daciq në Bruksel, duke falënderuar ndërmjetësimin e shkëlqyeshëm të Baroneshës Ashton në emër të Bashkimit Evropian.

“Në përputhje me nenet e Planit të Implementimit, çështjet kryesore të diskutuara në këto takime ishin: shpërbërja e strukturave ilegale dhe paralele Serbe të sigurisë dhe drejtësisë; themelimi i asociacionit të komunave serbe; dhe bisedimet për energjinë dhe telekomin. Sot mund të konfirmojë se ka pasur progres në integrimin e policisë, themelimin e asociacionit, dhe finalizimin e përgatitjes së zgjedhjeve lokale. Mirëpo në të njëjtën kohë, nuk ka përparim të rëndësishëm në integrimin e strukturave të drejtësisë si dhe në fushën e energjisë dhe telekomit”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu theksoi se në përputhje me Marrëveshjen e Normalizimit dhe Planin e Implementimit, ka pasur përparim për sa i përket krijimit të asocacionit së komunave serbe në Kosovë dhe është themeluar një ekip përgatitor i përbërë nga përfaqësues nga katër komunat veriore dhe se ky ekip do të hartojë një Statut për Asociacionin e ardhshëm të komunave serbe, bazuar statutin e Asociacionit ekzistues të Komunave të  Kosovës, dhe në përputhje me ligjin e Kosovës.

“Një fushë tjetër e progresit është integrimi i policisë serbe në strukturat e rendit dhe ligjit të Kosovës. Disa hapa konkretë janë ndërmarr në këtë drejtim. Policia e Kosovës ka bërë funksionale një drejtori rajonale për veriun dhe ka emëruar përkohësisht një drejtor policie për këtë rajon, i cili po punon në përputhje me ligjet e Kosovës. Ne kemi një kornizë të qartë ligjore dhe kohore. Tre muajt e ardhshëm do të jenë kritike për të siguruar integrimin efektiv të ish policisë serbe në sistemin policor të Kosovës. Ky veprim do të jetë i rëndësishëm për të rikthyer sundimin e ligjit dhe rendit publik në këtë pjesë të Kosovës”, tha ai.

Ministri Hoxhaj vlerësoi se zgjedhjet e ardhshme lokale do të mbahen me 3 nëntor 2013 në tërë Kosovës.

“Në komunat veriore, zgjedhjet lokale do të mbahen nën drejtimin e Komisionit Zgjedhor të Kosovës dhe me mbështetjen e OSBE. Zgjedhjet lokale në komunat veriore do të zhvillohen sipas ligjeve të Kosovës dhe roli i OSBE-së do të jetë lehtësimi i një numri të çështjeve teknike. Këto do të jenë zgjedhjet e para prej të cilave do të themelohen strukturat demokratike në tri komunat veriore të Kosovës, Prandaj, ne e ftojmë popullatën lokale që të marr pjesë në këtë proces të rëndësishëm elektoral. Këto zgjedhje përfaqësojnë një mundësi për të ndërtuar një përkushtim të përbashkët dhe obligime të reja qytetare, kundrejt Kosovës multi-etnike”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi se gjatë kësaj periudhe raportuese, janë vërejtur disa përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por se në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa tendenca te qarta nga ana e Beogradit për të devijuar nga obligimet origjinale, të cilat dalin nga marrëveshja e normalizimit.

“Duke parë hapat pozitiv, ne mirëpresim mbylljen e njëmbëdhjetë zyrave policore serbe në komunat veriore. Në të njëjtën kohë, ka dëshmi që anëtarë të strukturave paralele serbe po vazhdojnë të operojnë nga premisa private, duke qëndruar kështu në gjendje gatishmërie për të destabilizuar këtë pjesë të Kosovës”.

Hoxhaj tha po ashtu se në fushën e drejtësisë nuk ka ende progres në zbatimin e dispozitave të marrëveshjes dhe kjo vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik në Beograd.

“Nuk ka asnjë progres në çështjen e integrimit të personelit së drejtësisë. Ne kemi ofruar alternativat më të avancuara për integrimin e këtyre strukturave në sistemin Kushtetues të Kosovës, por Beogradi në mënyrë të vazhdueshme ka provuar të ndryshojë përmbajtjen e Marrëveshjes së Normalizimit. Marrëveshja parasheh një sistem unik të policisë, drejtësisë dhe të qeverisjes lokale në tërë territorin e Kosovës, dhe Beogradi duhet t’i përmbahet marrëveshjes”, tha ai.

Ministri Enver Hoxhaj tha se në menaxhimin e integruar të kufirit, është vërejtur progres në finalizimin e ndërtimit të pesë pikave të përbashkëta kufitare, të cilat gjithashtu vendosin vijën kufitare ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, siç u shpreh ai, ka pengesa nga Beogradi të cilët nuk lejojnë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë përmes Serbisë me dokumente të Kosovës. “Kjo është një shkelje e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes. Serbia gjithashtu po shkel marrëveshjen për doganat duke mbledhur tarifat doganore nga qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi dhe e ka si destinacion final Kosovën”.

Hoxhaj gjithashtu theksoi se dështimi i Beogradit që të pranojë marrëveshjen për energjinë dhe telekomin këtë javë, marrëveshje kjo që është në pritje qe dy vite, është dëshmia më e mirë e mungesës së vullnetit politik për të zgjidh çështjet e hapura ndërshtetërore. “Megjithatë, ne mirëpresim hapjen e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi dhe emërimin e Ambasadorit tonë nga Zagrebi për të filluar misionin në Beograd”.

Ministri Hoxhaj tha se në tre muajt e fundit, Kosova ka shënuar një moment historik në rrugën e saj për anëtarësim në BE, duke përmendur se më 28 qershor 2013, Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim që autorizon Komisionin e BE-së për të negociuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), që do të nënshkruhet ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

“Gjatë tre muajve të fundit, Kosova ka forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe ka rritur ndërveprimin e saj me organizatat multilaterale. Vetëm në qershor 2013, ne kemi mirëpritur njohjen e pavarësisë sonë nga vende të rëndësishme siç janë: Egjipti, Tanzania, Jemeni, Guajana dhe El Salvador. Janë mbi 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara që kanë njohur Kosovën deri më tani, dhe ne kemi vendosur marrëdhënie diplomatike me gati 60 shtete. Pas anëtarësimit në FMN, Bankë Botërore, BERZH, ne së voni jemi bërë anëtarë edhe të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës”, tha Hoxhaj.

Lidhur me FSK-në, ai bëri të ditur se më 9 korrik, Këshilli Veri-Atlantik njoftoi se Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur kapacitetet e plota operacionale, në përputhje me standardet dhe parimet e NATO-s.

“Si një forcë multi-etnike dhe burim i stabilitetit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka forcuar kapacitetet e veta aktuale që kanë të bëjnë me menaxhimin e fatkeqësive dhe ndihmën humanitare. Kjo shënon një moment të rëndësishëm në zgjerimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe NATO-s. Kjo konfirmon se Kosova është shembull i mbikëqyrjes civile demokratike mbi sektorin e sigurisë”, tha Hoxhaj, duke shprehur mirënjohje për KFOR-in, që po ndihmon në mirëmbajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe duke bërë të ditur se në një të ardhme të afërt, Kosova aspiron t’i bashkohet Programit Partneriteti për Paqe dhe përfundimisht për t\'u bërë anëtare e barabartë e NATO-s, si vendet e tjera në rajon.

Para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, ministri Hoxhaj ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, duke theksuar se kjo çështje vazhdon të jetë prezent në shoqërinë e Kosovës.

 “Kjo  kërkon angazhim të sinqertë dhe bashkëpunim nga Beogradi dhe përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare. Sa më shpejt të zgjidhet fati i tyre, më të larta do të jenë shanset për pajtimin ndër-etnik dhe ndër-shtetëror midis Kosovës dhe Serbisë. Ne e kemi ngritur këtë çështje disa herë në takimet në Bruksel dhe ne duhet të bëjmë çmos për të gjetur të vërtetën për fatin e personave të pagjetur. Megjithatë, unë mendoj se Kombet e Bashkuara duhet dhe mund të luajnë një rol të rëndësishëm”, tha Hoxhaj.

Ai ka shprehur mirënjohje edhe për Kombet e Bashkuara për rolin e tyre në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe konsolidimin e paqes në vend.

“Ne jemi të vetëdijshëm që shtetndërtimi dhe ndërtimi i paqes mund të prodhojë sukses afatgjatë vetëm nëse ajo nxit dhe mundëson pronësinë nacionale demokratike dhe ndërmerr strategjitë dalëse në kohë. Që nga qershori i vitit 1999, katërmbëdhjetë vite pas vendosjes së prezencës ndërkombëtare civile dhe ushtarake, tani ka ardhur koha që ky Këshill të marrë në konsideratë zhvendosjen e Kosovës nga agjenda e tij. Ka ardhur koha që të kalohet një rezolutë e re, që e njeh progresin e arritur në terren të cilin ne e kemi raportuar rregullisht për shumë vite tani”, theksoi Hoxhaj.

Ai po ashtu ka shtuar se nuk ka asnjë dyshim se UNMIK-u ka luajtur një rol aktiv në stabilizimin e Kosovës nga viti 1999 deri në vitin 2007. Por, theksoi se tani është e rëndësishme të pranojmë se UNMIK-u nuk ka më një rol për të luajtur në Kosovë.

“Është koha për këtë Këshill të konsideroj transformimin e misionit të UNMIK-ut në një zyrë politike të OKB-së, e cila do të koordinonte të gjitha agjencitë e OKB-së, fondet dhe programet. Në këtë drejtim, funksionin më të rëndësishëm që OKB mund të luajë në Kosovë është që të na mbështesë në përgatitjen tonë për aderim në Kombet e Bashkuara”.

Ministri Enver Hoxhaj, tha se Kosova e kupton se për të arritur këtë është i nevojshëm vullneti politik dhe uniteti midis anëtarëve të këtij Këshilli. “Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që të ndërmarrë aktivitete konkrete, me kohë dhe definitive që do t’i mundësonin Kosovës që të marrë vendin e saj që i takon në familjen e kombeve të lira dhe demokratike”.

Hoxhaj shprehu angazhimin e fortë për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e normalizimit me Serbinë, dhe të marr seriozisht të gjitha detyrimet, të cilat janë të nevojshme për të siguruar integrim të paqësor të komunave veriore në institucionet e Kosovës.

“Megjithatë, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore do të arrihet atëherë kur Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë, kontributi ndërkombëtar do të përfundojë kur Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Kombeve të Bashkuara”, tha ministri Hoxhaj, para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)