Hoxhaj kërkon mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar
Londër, 9 prill - Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Londër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është pritur sot nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague.
Ministri Hoxhaj fillimisht ka falënderuar sekretarin Hague për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Republikës së Kosovës në pesë vjetët e shtetndërtimit të brendshëm dhe konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Përveç marrëdhënieve të shkëlqyera politike, të dy ministrat kanë biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, tregtar, në fushën e arsimit dhe të kulturës.
Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në aspiratën e popullit të Kosovës për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike.
Pas pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të vetmen aspiratën që ka populli i Kosovës është agjenda evropiane. Në këtë fazë, përshpejtimi i nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimi i vizave, do të ishte një mirënjohje për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkan që iu ka mohuar kjo e drejtë, ka theksuar Hoxhaj, duke shtuar se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha prioritetet afat-shkurta të parapara në studimin e fizibilitetit.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka njoftuar homologun e tij për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Dialogu gjendet në fazë kritike dhe për këtë përgjegjës është Beogradi, i cili është duke devijuar nga procesi i dialogut, duke bërë shtyrje të paarsyeshme, si dhe duke blerë kohë. Serbia ka komplikuar tërë procesin, ka shtuar Hoxhaj.
Ai ka thënë se dështimi për të arritur një marrëveshje që është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës nuk i kontribuon situatës në Kosovë dhe rajon, vonon dinamikat integruese, dhe ngecë ndërtimin e një fqinjësie të mirë ndërshtetërore.