Hoxhaj kërkon anëtarësimin e Kosovës në SEECP
Bukuresht, 18 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë sot në punimet e takimit të dytë jo formal të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Para ministra të punëve të jashtme të vendeve anëtare të kësaj organizate të rëndësishme, ministri Hoxhaj ka folur për relevancen e SEECP-s për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë.
Ministri Hoxhaj tha se ky takim është një mundësi e mirë për të shkëmbyer perspektivat dhe shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, duke shtuar se prezantimi kredibil në këtë takim, dëshmon se SEECP do të mbetet një platformë serioze e avancimit të bashkëpunimit në rajon.
Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje se projekti evropian është i bazuar në bashkëpunim, si një mjet për fuqizimin e pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe progresit të mëtutjeshëm. Prandaj, angazhimi për bashkëpunim rajonal është në të njëjtë kohë nevojë dhe instrument efektiv për integrime evropiane, tha Hoxhaj, duke shtuar se SEECP-ja mund të jetë një forum serioz në fuqizimin e bashkëpunimit dhe agjendës integruese.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e Kosovës për të punuar bashkërisht për të shmangur perceptimin e Ballkanit si një model i ndarjes, dezintegrimit dhe dhunës. Përpjekjet tona të përbashkëta mund të transformojnë Ballkanit në një rajon që gjeneron paqe, stabilitet dhe prosperitet, tha ai.
Lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale, ministri Hoxhaj para ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit, pjesëmarrës në këtë takim, ka thënë se në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka pasur dy fokuse kryesore.
I pari ishte shtëtndërtimi i brendshëm, ku ne arritëm të ndërtojmë një shtet multietnik, demokratik dhe sekular. Dhe fokusi i dytë ishte fuqizimin i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Që nga viti 2008, Kosova i ka provuar bashkësisë ndërkombëtare se është një faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe kemi dëshmuar vullnetin për të fuqizuar bashkëpunimin me të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit, tha Hoxhaj.
Duke iu referuar edhe marrëveshjes së arritur në mars 2012 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë lidhur me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen rajonale, për këtë çështje dhe sfidave me të cilat është ballafaquar Kosova që atëherë për anëtarësimin në këto organizata, Hoxhaj theksoi rezultatet që janë arritur si dhe pengesat që janë hasur në këtë drejtim si pasojë e politikave përjashtuese dhe pozitave bllokuese të Serbisë.
Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar, tha Hoxhaj, duke shprehur përkushtimin e plotë të Kosovës për të qenë pjesë e të gjitha institucioneve dhe organizatave në rajon.
Më pas, Hoxhaj shprehu vendosmërinë e Kosovës për të qenë pjesë e SEECP-së, të cilën e vlerësoi si organizatën më të rëndësishme në terma të bashkëpunimit rajonal.
Ne iu jemi mirënjohës të gjithë anëtarëve për mbështetjen për anëtarësimin dhe e çmojmë lartë thirrjen e Bashkimit Evropian për të mirëpritur përfshirjen e Kosovës në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Kjo do të ishte në përputhje edhe me marrëveshjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë të arritura në Mars 2012 dhe Prill 2013, tha Hoxhaj, duke shtuar se përfshirja e Kosovës në këtë iniciativë është në përputhje edhe me prioritetet kryesore të SEECP, dhe se do të kontribuonte në konsolidimin e plotë të paqes dhe zhvillimit në rajon.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu u shpreh se Kosova e konsideron bashkëpunimin rajonal si procesin më të rëndësishëm dhe esencial për të sjellë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor më afër Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Kosova është shumë e interesuar që të jetë pjesë e SEECP-së duke u bazuar në vullnetin për të fuqizuar besimin dhe për të avancuar integrimin euroatlantik. Anëtarësimi i Kosovës po ashtu do të kontribuojë në promovimin e potencialeve demokratike brenda Kosovës dhe më gjerë, tha ministri Hoxhaj, duke i falënderuar të pranishmit për përkrahjen e Kosovës që të anëtarësohet në organizata të ndryshme rajonale.