Hoxhaj: Kanadaja partner strategjik i Kosovës
Otava, 25 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës në Kanada ka zhvilluar një takim të veçantë me kryetaren e Asociacionit Parlamentar Kanada- Organizata e Paktit Veriatlantik (NATO), Cheryl Gallant.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka folur për vullnetin e Qeverisë së Kosovës për intensifikimin e marrëdhënieve me Kanadanë në të gjitha fushat.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të kontribuuar në relacionet trans-atlantike.
Ai ka shprehur edhe simpatinë dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve të Kosovës për NATO-n.
Në këtë kontekst, Hoxhaj ka thënë se Kanadaja, si një ndër vendet themeluese të NATO-s dhe shtetet garantues i sigurisë dhe paqes, padyshim se konsiderohet partner strategjik i Kosovës në
këtë fushë.
Kosova ka ndërtuar një sektor të sigurisë të qëndrueshëm dhe modern, në bashkëpunim të plotë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, tha Hoxhaj.
Kryetarja e Asociacionit Parlamentar Kanada- Organizata e Paktit Veriatlantik (NATO), Cheryl Gallant, ka vlerësuar progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, duke shprehur mbështetjen e Kanadasë për avancimin e mëtutjeshëm të proceseve në Kosovë.
Pas përfundimit të vizitës zyrtare në Kanada, ministri Hoxhaj ka udhëtuar për në Slloveni, ku do të marrë pjesë në konferencën e Brdos.
Gjatë punimeve të kësaj konference të nivelit të lartë, ministri Hoxhaj, do të zhvillojë takime me përfaqësues dhe homologë të shumë shteteve, të cilët do të jenë prezentë në konferencën e procesit të Brdo.