Hoxhaj: Estonia, model për Kosovën
Talin, 17 maj - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Estonisë, është takuar sot me ministrin të Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Paet.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj njoftoi homologun Paet për progresin e gjithanshëm që ka arritur Republika e Kosovës viteve të fundit.
Hoxhaj kërkoi përkrahjen e Estonisë për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për liberalizimin e vizave dhe proceset tjera integruese evropiane të Kosovës.
Në këtë kontekst, ministri Hoxhaj shprehu falënderimet e qytetarëve dhe Qeverisë së Kosovës për gatishmërinë dhe përkrahjen e vazhdueshme të Estonisë në procesin e pavarësimit, ndërtimin e shtetit si dhe agjendën evropiane të Kosovës.
Estonia mund të shërbejë si model nga i cili Kosova mund të mësojë shumë sa i përket përparimit ekonomik dhe social, modernizimit si dhe qasjes pragmatike dhe konstruktive në Bashkimin Evropian, tha Hoxhaj, gjatë takimit me ministrin Paet.
Ai theksoi angazhimin e Kosovës që të eksplorohen mundësitë për vendosjen e një partneriteti strategjik ndërshtetëror me Estoninë në disa sektorë, ku mund të ketë bashkëpunim të frytshëm ndërmjet dy vendeve.
Hoxhaj foli edhe për rëndësinë e arritjes se një marrëveshjeje për zbatim të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, gjatë javës së ardhshme në Bruksel.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Estonisë, Urmas Paet, tha se Estonia e përkrah aktivisht dhe fuqishëm zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, liberalizimin e vizave për Kosovën si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Paet shprehu gatishmërinë e Estonisë për identifikimin e sektorëve konkret për bashkëpunim bilateral me Kosovën.
Ministri i Jashtëm estonez gjithashtu u interesua për njohjen e Kosovës nga ana e pesë shteteve të mbetura të Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e një politike të jashtme unike evropiane në këtë aspekt.
Ministri Hoxhaj dhe ministri Paet, sot në Talin, kanë nënshkruar edhe marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Estonisë për ripranimin e personave rezident pa autorizim, si një kriter i rëndësishëm në kuadër të përmbushjes së kritereve në proceset integruese evropiane të Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë ditës në Parlamentin e Estonisë është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për Çështje të Bashkimit Evropian, Arto Aas.
Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Aas kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve të dy shteteve, si dhe përkrahjen e Estonisë në përmbushjen e kritereve të cilat do të mundësojnë integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat evropiane.