Hoxhaj: Ekstremistët serbë përgjegjës për incidentin në veri
Washington, 5 nëntor - Gazeta prestigjioze amerikane The Wall Street Journal, ka botuar sot një artikull të gjatë lidhur me procesin e zgjedhjeve në Kosovë, duke u fokusuar në incidentet që kanë ndodhur në veri të vendit më 3 nëntor.
Në artikull përshkruhen gjerësisht veprimet e dhunshme të grupeve kriminale serbe në veriun e vendit që çuan në ndërprerjen e procesit të votimit si dhe reagimet që pasuan.
Në shkrim, po ashtu bëhet e ditur se zgjedhjet në pjesën tjetër të Kosovës kanë shkuar normalisht dhe se në pjesën jugore kishte pjesëmarrje sinjifikative të serbëve në zgjedhje.
The Wall Street Journal citon ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, lidhur me zhvillimet që karakterizuan zgjedhjet e 3 nëntorit dhe dëmtimin e fletëve të votimit në veri të Mitrovicës, gjatë sulmit të së dielës.
Gjatë bisedës, Hoxhaj tha se ekstremistët serbë duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që ndodhi në veri, duke vënë në pikëpyetje edhe vendimin e OSBE-së për tu tërhequr nga vendvotimet në veri.