Hoxhaj: Bashkëpunimi rajonal, prioritet evropian
Berlin, 24 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore në Berlin, ka zhvilluar takime të ndara me homologun e Malit të Zi, Neboja Kaluđerović dhe atë të Maqedonisë, Nikola Poposki.
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar raportet shumë të mira dhe bashkëpunimin e fuqishëm ndërmjet Republikës së Kosovës, me dy shtetet fqinje.
Hoxhaj falënderoi homologët e Malit të Zi dhe Maqedonisë për mbështetjen që Podgorica dhe Shkupi kanë dhënë për Kosovën, në anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Ministri i Jashtëm i Kosovës vlerësoi edhe marrëveshjet bilaterale ndërmjet Kosovës me të dyja shtetet, duke theksuar se këto marrëveshje janë vendimtare për bashkëpunim dhe shkëmbime të fuqishme ekonomike ndërmjet shteteve në rajon.
Qasja e Kosovës është që të kemi një bashkëpunim më të ngushtë rajonal në të gjitha fushat e jetës, i cili do ti ndihmonte vendeve tona që të kemi rritje ekonomike edhe lëvizje të lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave, por i cili bashkëpunim është parakusht që vendet tona të lëvizin shumë shpejt në rrugën e integrimeve evropiane, ka thënë Hoxhaj, gjatë takimeve me Kaluđerović dhe Poposki.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Malit të Zi, Neboja Kaluđerović dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki, kanë vlerësuar progresin në Kosovë dhe kanë shprehur mbështetjen e dy shteteve të tyre për Kosovën, në proceset e integrimeve në organizatat rajonale dhe evropiane.
Ata kanë shprehur mirënjohjen e tyre edhe për bashkëpunimin e thellë që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës me shtetet e tyre.