Hoxha kërkoi që Kosova të jetë anëtare në organizatat e EJL-së
Sarajevë, 2 qershor - Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, së bashku me drejtorin e Divizionit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Ragip Bunjaku, morën pjesë në konferencën Ministrore për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë Kufitare në Evropën Juglindore.
Kjo konferencë është mbajtur në Jahorina të Bosnje dhe Hercegovinës, prej 31 maj deri 1 qershor, në kuadër të Projektit për Sigurinë e Kufijve të Evropës Juglindore, të Qendrës për Siguri, Zhvillim dhe Sundim të Ligjit (DCAF) dhe u organizua nga Ministria e Sigurisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
Në këtë konferencë morën pjesë ministra dhe zëvendësministra të Brendshëm nga Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Moldova, Mali i Zi, Serbia, Slovenia, si dhe organizatat si: DCAF, Evropian Union IPA Project, EUROPOL, FRONTEX, RACVIAC, RCC.
Në këtë konferencë u diskutua fillimisht për rezultatet e arritura rreth implementimit të tri komponentëve thelbësore të programit, siç janë: Integrimi i Schengenit, Edukimi dhe Trajnimi, si dhe Bashkëpunimi Operativ. Ndërsa më pas diskutimi u fokusua tek të priturat dhe sfidat lidhur me Programin e Sigurisë Kufitare 2016-2020.
Zëvendësministri Hoxha, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, prezantoi rezultatet e arritura në sigurinë e kufijve të gjitha mekanizmave të zbatimit të ligjit dhe njëkohësisht kërkoi që Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota në të gjitha projektet dhe organizatat e Evropës Juglindore me qëllim të koordinimit sa më të mirë të aktiviteteve në mes të mekanizmave të sigurisë të gjitha shteteve, koordinim ky që do të kontribuonte në rritjen e sigurisë në nivel shtetëror, rajonal e më gjerë.
Kjo kërkesë u mirëprit nga të gjithë pjesëmarrësit e shteteve anëtare dhe përfaqësuesve të organizatave pjesëmarrëse.