24 Dhjetor 2024

Hoti dhe Vuçiqi vazhdojnë dialogun më 12 korrik

Bruksel, 6 korrik - Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.

“Mund të konfirmoj se më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të vijnë në Bruksel për dialog. Mikpritës i këtij samiti do të jetë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në prani të të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, tha ai.

Stano në një konferencë për media shtoi se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në të do të diskutohen “të gjithë çështjet e hapura”.

Sipas zëdhënësit Stano, ky takim në Bruksel, ka për qëllim që të çojë përpara punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq më 10 korrik, do të zhvillohet një "samiti virtual" mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron.

Nga Zyra e Macronit thonë se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.

Ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.

Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas paraqitjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)