12 Janar 2025

Homologët nga bota urojnë ministrin Hoxhaj për marrëveshjen

Prishtinë, 20 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pranuar dhjetëra telegrame dhe telefonata nga homologë të shteteve të ndryshme të botës, të cilët kanë përgëzuar Republikën e Kosovës për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë.

Ministri Hoxhaj dhe MPJ kanë marrë telegrame urimi dhe telefonata nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Laurent Fabius, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Didier Reynders, ministri për Evropë i Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington, ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Dimitris Avramopoulos, ministri i Punëve të Jashtme i Finlandës, Erkki Tuomioja, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, homologu i Shqipërisë, Aldo Bumçi, ministrat e Jashtëm të Austrisë, Turqisë, Norvegjisë etj.

Të gjithë ministrat kanë shprehur konsideratat për guximin politik dhe largpamës, për të gjetur një zgjidhje, e cila do të ndihmojë në tejkalimin e vështirësive të së kaluarës dhe do të hap rrugë për një të ardhme të përbashkët drejt Evropës.

Po ashtu, ata kanë shprehur besimin se marrëveshjet që janë nënshkruar, do të implementohen plotësisht.

Nga ana tjetër, ministri Hoxhaj ka falënderuar të gjithë ministrat për mbështetjen që i kanë dhënë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Hoxhaj ka shtuar se tani duhet të sigurohet implementimi i plotë, pa të cilën, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të kishte vlerë.

Ministri Hoxhaj ka theksuar po ashtu se pas kësaj marrëveshjeje, të vetmen aspiratë që e kanë qytetarët e Kosovës është integrimi euroatlantik.

Me këtë rast, Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së fuqishme të ministrave të jashtëm për Republikën e Kosovës, në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)