Homologët falenderojnë Ilir Meten, për Kosovën
Tiranë, 17 gusht - Pas Opinionit Këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta ka marrë disa mesazhe falënderimi nga homologë të ndryshëm evropianë të cilët shprehin vlerësimin e tyre për rolin e diplomacisë shqiptare në çështjen e Kosovës si dhe mbështetjen e plotë për konsolidimin e shtetit të ri.
Zv. Kancelari dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Guido Westerwelle shprehet se pavarësia e Republikës së Kosovës dhe integriteti i saj territorial për Gjermaninë janë fakte të pamohueshme, të cilat nuk vihen në pikëpyetje, duke shtuar se tashmë është mbyllur pjesa juridike dhe se ka ardhur koha për dialog, duke patur parasysh njëkohësisht se e ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës gjendet në Bashkimin Evropian.
Ndërsa homologu austriak z. Michael Spindelegger, në letrën e tij shprehet se Opinioni i GJND-së hap rrugën për njohje të reja dhe ofron shpresë për zhvillimin socio-ekonomik të shtetit të ri. Ai shton se nisja e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës do të jetë në radhë të parë në interes të qytetarëve që jetojnë në të dy shtetet.
Në përfundim, duke vlerësuar angazhimin e diplomacisë shqiptare, z. Spindelegger shton: dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për përqasjen tuaj të qartë dhe të ekuilibruar në çështjen e Kosovës fqinje. Ju siguroj për angazhimin tim të mëtejshëm në shërbim të progresit të marrëdhënieve Serbo-Kosovare si dhe për vazhdimësinë e procesit të integrimit evropian për të gjithë vendet e Evropës Jug-Lindore.
Gjithashtu, në një letër drejtuar z. Meta, Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, z. Nickolay Mladenov, shpreh kënaqësinë për pozicionet e njëjta të të dy vendeve për sa i përket nevojës për të ndërtuar një Kosovë të qëndrueshme, në paqe, demokratike dhe multi-etnike. Z. Mladenov shpreh bindjen se Opinioni këshillimor i GJND-së do të hapë rrugën për fillimin e një faze të re në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për krijimin e besimit reciprok, kaq të nevojshëm në rajon.
Në mbyllje të letrës së tij, z. Mladenov e siguron z. Meta se Bullgaria e konsideron dialogun konstruktiv mes Prishtinës dhe Beogradit si një hap esencial për zhvillimet pozitive në Ballkanin Perëndimor dhe se vendi i tij do të jetë i gatshëm të bëjë maksimumin për suksesin e këtij dialogu brenda kornizës së Bashkimit Evropian.