Historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese
Prishtinë, 28 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Portugali, në adresimin e saj në Samitin Global të Grave, ka theksuar se pandemia ka rritur pabarazitë me të cilat përballen gratë çdo ditë, në punë dhe në shtëpi.
Por, sipas saj, gratë nuk ndaluan. “Është e jashtëzakonshme ajo që po dëshmojmë në ditët e sotme. Një tendencë në rritje e grave dhe vajzave që nuk e pranojnë 'JO'-në për përgjigje; gra dhe vajza që nuk dorëzohen."
"Në vend të kësaj, ne shohim gjithnjë e më shumë gra dhe vajza që luftojnë fort, ngrihen për atë që është e drejtë, ngrihen për njëra-tjetrën dhe më e rëndësishmja – ato flasin”, ka theksuar Presidentja Osmani në Samit, i cili sivjet trajton rolin e grave në transformimin e ekonomisë.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Krushës, të cilat pavarësisht vuajtjeve me të cilat janë përballë, kanë arritur të triumfojnë.
“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik."
"Ajo ia doli duke sfiduar stereotipet gjinore dhe duke demonstruar guxim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Jo vetëm që ka arritur ta kthejë dhimbjen e saj në punë të palodhur, por sot ajo qëndron pas më shumë se 100 vendeve të punës të krijuara për gratë e fshatit Krushë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Sipas saj, historia e grave të Krushës është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të grave që bashkohen dhe ngrihen për njëra-tjetrën.
“Jeta dhe beteja e saj janë portretizuar me mjeshtëri në filmin “Zgjoi”, pretendenti zyrtar i Kosovës për çmimin Oscar dhe fitues i trefishtë i çmimeve të Sundance Festival. Ju ftoj të gjithëve ta shikoni!”, ka theksuar Presidentja Osmani para grave pjesëmarrëse nga mbarë bota në këtë Samit.
Në këtë adresim, Presidentja Osmani, gjithashtu ka vërë theksin në fuqizimin e grave në proceset vendimmarrëse.
“Përfundimisht, tashmë është e qartë se kur gratë marrin pjesë në qarqe të nivelit të lartë politik dhe shtetëror, ato kontribuojnë në politika më të balancuara, më të ndjeshme ndaj gjinisë, të kujdesshme ndaj mjedisit dhe më përparimtare."
"Vetëm përmes një qasjeje të tillë të politikë-bërjes do të kemi një mundësi për të përmbushur premtimin tonë për ndërtimin e shoqërive të përqendruara në nevojat e njerëzve dhe sistemet ekonomike që përshtaten me nevojat e së ardhmes”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në kuadër të këtij Samiti, Presidentja Osmani ka takuar edhe përfaqësuese të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.