Hillary Clintonin në avantazh
Washington, 2 tetor - Sipas RealClear Politics, zonja Clinton radhitet tashmë në nivel kombëtar me 3% më shumë pikë se sa zoti Trump.
Anketimi, që u publikua nga rrjeti Fox News ditën e premte, u zhvillua gjatë një hapësire kohore tre-ditore, pas debatit të zhvilluar ditën e hënë. Zonja Clinton vlerësohet me 43% përballë zotit Trump me 40%.
Kjo është një rritje me 1% krahasuar me një sondazh pararendës që Fox News pati zhvilluar përpara debatit, në mesin e muajit shtator.
Një tjetër sondazh tregon se shumica e personave që mbështesin kandidatë të partive të treta, nuk janë ende të përkushtuar plotësisht ndaj tyre, duke sugjeruar kështu mundësinë e zhvendosjes drejt kandidatëve Clinton dhe Trump dhe për rrjedhojë edhe mundësinë e ndryshimit të dinamikave të garës.
Anketimi i kryer nga Associated Press-GfK tregon se 70% e mbështetësve të kandidatëve të tretë mund të ndryshojnë mendim. Votuesit e pavendosur janë të ndarë pothuajse njëlloj ndërmjet zotit Trump dhe zonjës Clinton.
Me vetëm 5 javë që mbesin nga votimet e datës 8 nëntor, kandidatët presidencialë po i afrohen fundit të një fushate rraskapitëse.