Hill: Krahasimi i Krimesë me Kosovën është justifikim
Denver, 21 mars - Christopher Hill, Dekan i Fakultetit Ndërkombëtar në Universitetin e Denverit, tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë vigjilente ndaj Rusisë, pas asaj që ndodhi me Krimenë. Zoti Hill, i cili ka qenë Ndihmës Sekretar i Shtetit dhe ambasador në disa vende, ka një përvojë të gjatë edhe me Ballkanin.
Në një intervistë me shefin e shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, Vedran Andonovski, ai iu përgjigj fillimisht pyetjes se a mund të bëhen krahasime mes Krimesë dhe rastit të Kosovës.
Në fund të fundit, në Kosovë pati një ndërhyrje të NATO-s, trupat e huaja qëndruan atje me vite dhe u bënë zgjedhje të mbikqyrura nga të huajt. Që Rusia, e cila kundërshtoi çdo gjë që lidhej me Kosovën, të thotë tani se Krimeja duhet të ndjekë shembullin e Kosovës, kjo të bën të pyesësh se përse, atëherë, nuk e kanë njohur ata Kosovën? Prandaj mendoj se është një justifikim. Ata tani e kanë marrë vendimin, por jo bazuar mbi rastin e Kosovës.
Zoti Hill tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë shumë vigjilente ndaj Rusisë, pas asaj që ndodhi me Krimenë.
Në vitin 1939, kur Gjermania dhe Rusia pushtuan Poloninë, tha ai, Polonia kishte një marrëveshje me Britaninë dhe Francën që nëse do të pushtohej nga Gjermania, këto dy vende do t\'i shpallnin menjëherë luftë Gjermanisë.
\"Ato vërtet e bënë këtë, por kurrë nuk dërguan trupa, nuk e sulmuan Gjermaninë dhe nuk bënë asgjë për të ndryshuar gjendjen e krijuar. Prandaj unë mendoj se është shumë e rëndësishme që nënpresidenti Biden ka shkuar në këto vende për të ofruar siguri se NATO-ja do të nënkuptonte shumë më tepër për to, sesa ajo që ndodhi në vitin 1939\", theksoi Hill.
Zoti Hill tha se Rusia gjithnjë i është trembur lëvizjes së Ukrainës në drejtim të perëndimit. Ajo që ndodhi në Krime, i shton gjasat që kjo të ndodhë vërtet, tha ai. Ndërkaq, në disa territore, dhe Çeçenia është një shembull i mirë, Rusia do ta ketë të vështirë të thotë se ato nuk mund të zhvillojnë referendume për të ardhmen e tyre.
Prandaj, tha zoti Hill, Rusia e ka futur veten në një pozitë mjaft të vështirë. Për më tepër ajo i fryn nacionalizmit, që është në modë në Rusi, në një kohë kur ekonomia e saj është mjaft e dobët.
Zoti Hill thotë se varësia e aleatëve evropiane nga gazi rus, duke filluar nga vitet 70, do të ketë një ndikim lidhur me atë që këto vende mund të bëjnë për t\'ju kundërvënë politikisht Moskës. Ai thotë se për ta pakësuar këtë varësi, kërkohen projekte gjigante. Për shembull, në të kaluarën, Polonia është interesuar të marrë naftë dhe gaz nga Balltiku, por që kjo të realizohet, duhet të jetë me përfitime të mëdha për vendet që do të përfshiheshin.
Ai mendon se Rusia e ka përdorur këtë varësi për t\'u bërë trysni politike këtyre vendeve, prandaj shumë prej tyre do të përpiqen për një diversifikim më të madh të burimeve të enegjisë, pavarësisht nga kostoja.
I pyetur se çfarë mund të kishte bërë më shumë Presidenti Obama në rastin e Krimesë dhe nëse reagimi i tij ishte i vonuar, zoti Christopher Hill tha se nuk beson që ai mund të kishte bërë më shumë.
Zoti Hill tha se ideja që Presidenti Obama u tregua i dobët në Siri prandaj edhe Putini e mori Krimenë, është shumë larg realitetit. Ai mendon se sanksionet ndaj Rusisë nuk do ta ndryshojnë sjelljen e Moskës, pasi rusët do të bëjnë të njëjtën gjë kundër Shteteve të Bashkuara. Por në rastin e Krimesë, tha ai, Presidenti Obama nuk kishte asnjë alternativë tjetër.
Zoti Hill thotë se gjendja e krijuar rreth Krimesë i ka acaruar marrëdhëniet Lindje-Perëndim. Nëse kemi të bëjmë me një rilindje të Luftës së Ftohtë, tha zoti Hill, kjo është e vështirë të thuhet, por është e nevojshme t\'i kushtohet shumë më tepër vemendje krahut lindor të NATO-s dhe sidomos t\'i kushtohet vemendje e re gjendjes në Ballkan.
\"Unë gjithmonë kam besuar se Maqedonia duhet pranuar në NATO. Por nuk është çështja vetëm tek NATO-ja, kjo ka të bëjë me marrëdhëniet më të gjera të këtyre vendeve me Shtetet e Bashkuara\".
Për shembull, tha zoti Hill, edhe ajo që bëni ju në Zërin e Amerikës është me shumë rëndësi, pra që u drejtoheni këtyre vendeve duke i njohur ato me pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për Rusinë.