Hetimet për shkarkim të Trumpit hynë në fazë të re
Washington, 28 nëntor - Presidenti amerikan, Donald Trump ka afat deri më 1 dhjetor për të konfirmuar pjesëmarrjen në fazën e re të hetimeve të Kongresit për shkarkimin e tij.
Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve ka caktuar për 4 dhjetor mbajtjen e seancave publike në të cilat do të prezantohen edhe përpjekjet për shkarkim të presidentëve tjerë, si dhe do të përfshihen ekspertë ligjorë, sidomos ata të ligjit kushtetues.
Tri komitetet tjera që kanë përfunduar punën e tyre janë duke hartuar raportin që do t’i dorëzohet Komitetit Gjyqësor pas Festës së Falënderimeve.
Bazuar në të gjeturat e raportit dhe përfundimet e seancave publike që nisin më 4 dhjetor, Komiteti Gjyqësor do të vendosë nëse do të hartojë artikujt për shkarkim apo akuza zyrtare kundër presidentit.
Në qendër të hetimeve janë supozimet nëse Trump ka kryer “shkelje të rënda”, siç definohet me kushtetutë.
Këto supozime janë ngallur pas një bisede telefonike të zhvilluar më 25 korrik në mes të Trumpit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve dyshojnë se Trumpi, president republikan, ka abuzuar me pushtetin që ka, duke kushtëzuar ndihmë për një qeveri të huaj, në këmbim të hetimeve për rivalin e tij politik, Joe Biden, i cili synon të fitojë nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vititi 2020.
Ata akuzojnë Trumpin dhe keqbërje tjera para dhe pas bisedës së zhvilluar me Zelenskiyn.
Para se të zhvillonte këtë bisedë, Trump ka pezulluar ndihmën ushtarake në vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën, duke i kërkuar “një të mirë” homologut të tij.
Trump e ka përshkruar bisedën me Zelenskiyn si “krejtësisht normale” dhe i ka cilësuar hetimet për shkarkim si “mashtrim”.