Haxhinasto: Raporti i Martit me qasje raciste

Tiranë, 29 dhjetor - Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka vlerësuar se raporti i Dik Martit është i papranueshëm dhe me akuza të pabazuara në fakte. 
Haxhinasto tha në një intervistë për median në Tiranë se raporti është i mbushur me shpifje dhe trillime. 
"Dalja e raportit ishte aksidentale. E rëndësishme mbetej mënyra sesi reaguam më pas, një mënyrë e saktë, dinjitoze, racionale, kundrejt një raporti të bazuar në pseudëshmi dhe hipoteza në hamendësim", tha Haxhinasto për mediat elektronike të Tiranës. 
Sipas vlerësimit të Haxhinastos, një raport i Martit është i papranueshëm edhe për shkak të qasjes raciste ndaj një populli dhe i motivuar politikisht. 
Ky është një raport i cili nuk reflekton ato gjëra që kanë ndodhur, një marrëdhënie e atyre ngjarjeve qe kanë ndodhur. 
Haxhinasto ka theksuar se kjo është përgjegjësia e një klubi që përbëhet nga një grup shtetesh të cilat punojnë kundër njohje së Kosovës. 
Lidhur me diskutimin e 25 janarit në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Haxhinasto tha se qëllimi i Shqipërisë është që të vërtetojë se ky "është racial, i motivuar politikisht dhe ka dalë jashtë etikës, objektivave të Këshillit të Evropës". 
















