Haradinaj u prit në State Department
Washington, 25 shtator - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka takuar sot diplomatin e shquar amerikan dhe ish-zyrtarin e lartë të State Departmentit, Morton Abramowitz, aktualisht bashkëpunëtor i lartë i Fonadacionit The Century Foundation, me seli në Washington.
Ndërsa, në një takim tjetër në State Department, kryetari Haradinaj ka takuar Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore (në DASH), Jonathan Moore.
Në të dyja këto takime me zyrtarët e lartë amerikanë, kryetari Haradinaj ua ka përcjellë atyre gatishmërinë për bashkëpunim e bashkërenditje të mëtejme të angazhimeve të Kosovës me SHBA-të.
Haradinaj ua ka përcjellë zyrtarëve të SHBA-së mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ky vend mik i ka dhënë dhe po i jep Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.
Ai ka folur për përkushtimin në kryerjen e të gjitha përgjegjësive që na takojnë, si politikë vendore, për ta bërë Kosovën vend stabil dhe të zhvilluar në aspektin ekonomik dhe atë të sigurisë, si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
Kryetari Haradinaj ka bashkëbiseduar në dy takimet e ndara, me z. Abramowitz dhe z. Moore, për vizionin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, si shtet demokratik, i lirë dhe i sigurt për të gjithë qytetarët e tij.
Në të dyja këto takime është konkluduar se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është obligim themelor dhe i rëndësisë parësore, që qeverisja dhe politika vendore duhet tia parashtrojë vetes, në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.
Vizita e kryetarit Haradinaj në SHBA do të vazhdojë me takime të tjera me zyrtarë të lartë në Uashington e Nju-Jork.