Haradinaj: Nuk i trembem ekstradimit në Serbi

Lubjanë, 18 qershor - Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, një ditë pas ndalimit nga autoritetet sllovene, ka thënë se nuk i trembet ekstradimit në Serbi, nëse kjo do të kërkohet.
Në një intervistë për televizionin serb N1, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi qeverinë sllovene për sjellje të turpshme ndaj tij.
Jam në Lubjanë, në pritje të vendimit për kthimin e pasaportës time në mënyrë që të udhëtoj në Prishtinë. Për mua, kjo situatë është e papranueshme, se sllovenia nuk e ka pastruar dosjen. Nëse nuk është gabimi i tyre, nëse sistemi nuk ka gabuar, atëherë ky është një qëllim dashakeq i qeverisë këtu. Nuk shqetësohem fare për Serbinë, unë jam qytetar i Kosovës, tha Haradinaj.
Haradinajt i është kërkuar të marrë një avokat, por sipas N1 autoritetet sllovene janë duke shqyrtuar urdhër-arrestin nëse është apo jo i ligjshëm dhe gjithashtu po studiojnë mundësinë e një ekstradimi të mundshëm të Haradinajt në Serbi.
Haradinaj u arrestua dje në aeroportin e Lubjanës, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe në vitin 2004.
Haradinaj u la i lirë dhe u akomodua në një hotel në kryeqytetin slloven, por nuk lejohet të kthehet në Kosovë. Haradinaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në lidhje me akuzat për krime lufte.