Haradinaj merr titullin Nderi i Qarkut të Beratit
Berat, 26 shkurt - Sot, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, qëndroi në Berat (Shqipëri), ku nga Qarku i qytetit të Beratit u nderua me Cmimin Nderi i Qarkut të Beratit.
Ceremonia e ndarjes së cmimit u mbajt paraditen e sotme, ndërkohë që më vonë kreu i AAK-së, i shoqëruar nga zyrtarë të Qarkut të Beratit dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, viztoi edhe Kalanë e njohur të Beratit.
Autoritetet vendase u shprehën të nderuar, jashtëzakonisht të nderuar, që nga dita e sotme e kanë ish-udhëheqësin e UCK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës, bashkëqytetar dhe Qytetar Nderi të vendit të tyre.
Lufta e lavdishme e UCK-së ishte nder për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për Kosovën, u shpreh kreu i Qarkut të Beratit. Ai tha se z. Ramush Haradinaj e dëshmoi këtë jo vetëm gjatë viteve të luftës për lirinë e Kosovës, por edhe në udhëheqjen e tij si kryetar i një partie politike në Kosovë, e më pas si kryeministër i Kosovës dhe, për dy herë me radhë, duke respektuar, duke u përballur dhe duke dalë fitimtarë dhe i pastër përballë drejtësisë ndërkombëtare.
Ai tha se shembulli i Haradinajt është shembull i liderit dhe i heroit modern të shqiptarit të ditëve të sotme.
Ish-kryeministri Haradinaj u shpreh se ndihet i nderuar që sot po shpallet Nderi i Qarkut të Beratit. Ai tha se ky moment është nder jo vetëm për të personalisht, por për mbarë popullin e Kosovës dhe luftën e drejtë për liri, që Kosova e bëri në fundin e shekullit XX.
Paqja, liria, mirëkuptimi, Bashkimi Evropian dhe NATO janë objektivi i përbashkët i të gjithë shiptarëve, por edhe i ballkanasve në përgjithësi, tha ish-kryeministri Haradinaj.
Nderimi i sotëm nga Qarku i Beratit, është në vazhdën e ndarjes së shumë cmimeve të nderit për kryetarin Haradinaj, në mbarë qytetet e Shqipërisë dhe në trevat tjera shqiptare.