Haradinaj e Berisha u zotuan për bashkëpunim të mëtejmë
Tiranë, 19 gusht - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë, është pritur sot në një drekë pune, në Tiranë, nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha.
Kryetari Haradinaj dhe kryeministri Berisha, bashkëbiseduan rreth zhvillimeve aktuale politike, proceseve që po kalojmë dhe për raportet e mira të bashkëpunimit.
Kryetari Haradinaj ia përcjelli kryeministrit Berisha respektin dhe vlerësimin e tij për arritjet e Shqipërisë gjatë këtyre viteve, duke uruar që zhvillimi i përgjithshëm të vazhdojë më tutje.
Haradinaj tha se Kosova po i përcjellë me vëmendje proceset në Shqipëri, duke parë edhe mundësitë e mësimeve të mira, si dhe ia shprehu mirënjohjen e thellë kryeministrit Berisha, për angazhimin e vazhdueshëm në të mirë të proceseve që kaloi dhe po kalon Republika e Kosovës.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha e përgëzoi kryetarin Haradinaj për rolin e fuqishëm në politikën kosovare, duke dëshiruar thellimin e raporteve midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy vende faktorë të paqes, stabilitetit dhe të zhvillimit në rajon.
Konform memorandumit të bashkëpunimit, të nënshkruar vite më parë, kryetari Haradinaj dhe kryeministri Berisha u shprehën të bindur në vazhdimin e bashkëpunimit midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dy subjekte të spektrit të djathtë politik shqiptar.