Haga do të jetë qendra e Europol-it për luftimin e trafiqeve

Hagë, 23 shkurt - Organizata e policisë e Bashkimit Europian, Europol, ka zgjedhur qytetin holandez Hagë, si selinë e qendrës së saj të re të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Kjo strukturë ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin mes vendeve anëtare.
Komisioneri i BE-së për migracionin Dimitris Avramopulos tha se bashkëpunimi midis Europolit dhe agjencisë së kontrollit kufitar të BE-së, Frontex, do të ndihmojë për të goditur trafikimin njerëzor.
\"Bashkëpunimi ndërmjet Europol-it dhe Frontex-it, është forcuar nga marrëveshja e fundit që lejon shkëmbimin e të dhënave personale, ndaj ai do të jetë vendimtar për të lehtësuar luftën ndaj trafiqeve.\"
Europol-i vlerëson se rrjetet kriminale përftuan rreth 3.6 miliardë euro në vitin 2015 nga trafikimi i qenieve njerëzore. Organizata thotë se nëntë nga dhjetë azilkërkues vijnë në Europë nëpërmjet rrjeteve kriminale të trafikimit.