Gynter Gras kundërshton dëbimin e romëve në Kosovë
Berlin, 4 nëntor - Shkrimtari gjerman Gynter Gras u ka dërguar një letër të hapur autoriteteve në Berlin dhe ka paralajmëruar se Gjermania nuk duhet t''i dëbojë romët në Kosovë.
Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi i ka kërkuar qeverisë që të ndalë dëbimin e romëve në Kosovë dhe t''u ofrojë romëve kompensim moral për viktimat e tyre gjatë nazizmit.
Sytë e Evropës janë drejtuar kah Franca për trajtimin e refugjatëve romë nga Rumania, ndërkohë që po vazhdon aksioni i përmasave të mëdha i dëbimit nga Gjermania në Kosovë, thuhet në letrën që Gras ia ka dërguar ministrit të Brendshëm, Tomas de Mazier dhe ministrave të brendshëm të landeve gjermane.
Shkrimtari 83 vjeçar, i cili me bashkëshorten e tij kanë themeluar Fondacionin për të ndihmuar romët, ka theksuar se dëbimi i tyre është skandal për Gjermaninë dhe hipotekë për paqen evropiane.