18 Maj 2024

Guardian: Kosova, çelësi i përparimit të Ballkanit

Londër, 5 dhjetor - Tela gjemborë dhe automjete të djegura, kamionë të mbushur me drunj, turma që hedhin gurë dhe paqeruajtës ndërkombëtarë në panik, që fshihen pas mburojave. Postblloku ballkanik, shumë i njohur nga luftërat jugosllave të viteve të 1990, është kthyer sërish, shkruan Ian Traynor për të përditshmen britanike The Guardian.

Javën e kaluar, disa paqeruajtës gjermanë e austriakë dhe protestues serbë u lënduan në përleshjet, teksa konfrontimi u përshkallëzua në një krizë ndikimi i së cilës bëri jehonë shumë më larg sesa ky kënd i varfër e i pluhurosur i Evropës juglindore.

Kontesti ka të bëjë me atë se kush do të kontrollojë kufirin në mes të Serbisë dhe Kosovës, nëse mund të quhet kufi. Serbia e mendon Kosovën si të veten, duke refuzuar që ta njohë shtetin me shumicë shqiptare, që shpalli pavarësinë tri vjet më parë. Ndërkaq, për kosovarët, prania e policëve dhe doganierëve në kufirin me Serbinë është atribut thelbësor i shtetësisë.

Është një konflikt lokal, por ndikimi po rrezaton përtej Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa të hënën mund ta përmbysë qëllimin kryesor të Serbisë: shansin që të vihet në rrugën për t’iu bashkuar Unionit Evropian.

“Ne duam ta shohim një përkushtim të fortë (të Serbisë) në dialogun me Kosovën”, ka thënë sekretari i jashtëm William Hague, ndërsa Britania iu ka bashkuar Gjermanisë, Austrisë, dhe Holandës në kërcënimin e tyre me veto në lidhje me vendimin.

Është një javë vendimtare për Ballkanin. Derisa Beogradi do të mësojë nëse është kandidat për anëtarësim në BE - dhe Malit i Zi që tashmë është kandidat do t’i tregohet nëse mund të hapë negociatat - Kroacia në fund të javës do të nënshkruajë traktatin për anëtarësim në union. Do të duhen edhe 18 muaj të referendumeve dhe ratifikimeve, para se Kroacia të bëhet vend anëtare. Frika ndjehet në Ballkan se BE do t’i mbyllë dyert nëse këtë javë nuk shënohet ndonjë përparim.

“Pas Kroacisë është e qartë se askush nuk do të anëtarësohet shpejt. Do të ketë një pauzë”, ka thënë për Guardian, zëvendëskryeministri serb, Bozidar Djelic.

Një diplomat gjerman, i përfshirë në negociata, ka thënë se “do të jetë një sinjal fatal nëse i marrim kroatët dhe ua kthejmë pastaj shpinën serbëve”.

Kreu i një organizate ndërkombëtarë që punon në ish Jugosllavi ka thënë se perëndimi do të jetë në prag të një kalkulimi të gabuar e serioz, po që se nuk e përfill Serbinë.

“Do të jetë një katastrofë strategjike. Një Serbi e hidhëruar, e frustruar mund të shkaktojë telashe kudo - në Kosovë, në Bosnje, në Mal të Zi. Do ta keni një vrimë të zezë”.

Por, Bashkimi Evropian i pllakosur nga kriza ekzistenciale e borxheve dhe e dështimeve financiare, ka pak prirje te kryeqendrat kryesore që Unioni të zgjerohet përtej 28 shteteve, pas Kroacisë. Tetë vjet më parë, në Greqi, liderët evropianë u zotuan që të përfshinin të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë dhe Shqipërinë në BE. Skeptikët e Ballkanit thonë se BE thjesht po shkon në mocion.

“Kjo javë është fundi i procesit të Selanikut”, ka thënë një zyrtar ndërkombëtar në Sarajevë, duke iu referuar politikës që lindi më 2003.

Ata frikësohen se po që se perëndimi heq dorë nga Ballkani, të tjerët do të hyjnë në këtë rajon, që gjeografia, e ka bërë pre të fuqive të mëdha me shekuj.

Me Slloveninë dhe Kroacinë - shtete të vogla katolike më në perëndim të ish Jugosllavisë - që janë të integruara në BE dhe në NATO, ndërsa ata që mbesin në harresë - Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria – është ndarja në mes të sllavëve ortodoksë dhe myslimanëve vendës evropianë. Kjo situatë i bën thirrje një kontesti për ndikim në mes të Rusisë së Vladimir Putinit, që ekspozohet si ruajtëse e ortodoksizmit, dhe Turqisë, fuqisë evropiane myslimane me një politikë të jashtme gjithnjë e më të sigurt.

Janë tri çështje të pazgjidhura në ish Jugosllavi - kontesti i pafund për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, dështimi i elitës boshnjake për të shkuar përtej ndarjeve etnike dhe për t’u pajtuar për një modus operandi (Bosnja është pa qeveri qendrore për më shumë se një vit) dhe kontesti mes Serbisë dhe Kosovës. Kosova paraqet çelësin e një përparimi në këtë javë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të premten se Serbia nuk i ka përmbushur pritjet për statusin e kandidatit. Britania dhe Austria po mbështesin këtë linjë të ashpër të Gjermanisë.

Por, vendimi i BE për Serbinë mbetet i balancuar, me Tadicin që është nën presion për të bërë koncesione për Kosovën teksa rrezikon përbuzjen në vendin e tij po që se bën një gjë të tillë. Për herë të parë që nga ngritja e barrikadave në muajin korrik, Tadici javën e kaluar kërkoi largimin e tyre. Ai u injorua nga radikalët lokalë.

Tri ditët e negociatave mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në Bruksel, që janë përshkruar “të tmerrshme” nga një zyrtar i BE-së, rezultuan me një përparim të vogël të shtunën. Serbët u pajtuan që të lejojnë praninë e policëve dhe doganierëve shqiptarë të Kosovës në pikat kufitare. Qeveria e Kosovës e sheh këtë si një demonstrim të sovranitetit. Por, Seria refuzon ta njohë Kosovën, duke argumentuar se pikat kufitare nuk janë kufij ndërkombëtarë, por “pikëkalime administrative” dhe se zyrtarët kosovarë do të veprojnë vetëm si “vëzhgues”.

Politikanët lokalë serbë në veri të Kosovës kanë refuzuar marrëveshjen. Me një konflikt të ngrirë të ngjashëm me atë të Qipros, liderët evropianë hezitojnë që të importojnë telashe tjera duke filluar procesin e pranimit të Serbisë.

“Ne dëshirojmë që në këtë periudhë të arrijmë maksimumin e ndikimit për të bërë përparim në relacionet me Kosovën”, ka thënë një diplomat evropian.

Evropa dhe Serbia janë angazhuar në një lojë të rrezikshme të politikës së lojës me zjarrin. Në rrugët e bllokuara dhe të pluhurosura të Kosovës veriore, vihet në pikëpyetje e ardhmja e Serbisë

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)