Greva paralizon Hong Kongun
Hong Kong, 6 gusht - Një grevë e përgjithshme paralizoi të hënën Hong Kongut. Për shkak të grevës, njerëzit e kishin të pamundur të shkonin në punë, ndërkohë që u anuluan më shumë se 200 fluturime.
Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se greva prishi rendin dhe ligjin në qytetin që po përjeton krizën më të rëndë politike, që kur Kina nisi administrimin e tij në vitin 1997.
Protestuesit antiqeveritarë në Hong Kong vazhdojnë të mbajnë të bllokuara dyert e metrove, duke penguar njerëz të hyjnë dhe dalin në stacionet.
Kjo e pengoi rutinën e mëngjesit dhe banorët e kishin të pamundur të shkonin në punë. Kaosi detyroi edhe anulimin e më shumë se 200 fluturimeve.
Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, e cila përballet me kundërshtime por ka mbështetjen e Pekinit, tha se protestat e kanë dëmtuar ekonominë e qytetit dhe po e vënë atë në një rrugë pa kthim.
“Një çrregullim kaq i madh aktivitetesh në emër të disa kërkesave ka shkatërruar rendin dhe ligjin në Hong Kong. Kjo po e shtyn vendin që të gjithë e duam dhe kemi ndihmuar ta ndërtojmë, drejt një situate të rrezikshme. Si rezultat i dhunës, shumica e popullit të Hong Kongut është në ankth”, tha Carrie Lam udhëheqësja e Hong Kongut.
Zonja Lam refuzoi thirrjet e përsëritura të protestuesve për dorëheqjen e saj dhe tha se qeveria është e përkushtuar të ruajë ligjin dhe rendin.
Natën e së dielës marshuesit përdorën dhunë në disa pjesë të qytetit, së bashku me një taktikë të re për t’iu shmangur përballjes me policinë dhe gazin lotësjellës.
Protestuesit mbildheshin në një vend të caktuar duke ngritur barrikada ku qëndronin derisa policia ende nuk kishte ndërhyrë. Më pas, disa vazhdonin të qëndronin me maska kundër gazit, ndërsa shumica iknin për të bllokuar një pikë tjetër.
Qyteti që kontrollohet nga Kina, e që njihet si qendër financiare, po përballet me krizën më të rëndë politike që kur Kina mori administrimin e tij në vitin 1997. Demonstratat kanë nisur para 9 javësh për të kundërshtuar një projektligj për ekstradimet, i cili sipas protestuesve dëmton autonominë e qytetit dhe i jep mundësi Kinës të ndjekë penalisht të dyshuarit për krime që ndodhin në Hong Kong.
Projektligji tashmë është pezulluar, por kërkesat e protestuesve janë për më shumë demokraci.
Të dhënat e autoriteteve të sigurisë thonë se nga 9 qershori janë arrestuar 420 persona, ndërkohë që policia ka përdorur rreth 1 mijë herë gazin lotësjellës dhe ka qëlluar me rreth 160 plumba gome.