Greqia vazhdon negociatat për borxhin
Athinë, 7 shkurt - Kryeministri grek Lucas Papademos vazhdon takimet e emergjencës me udhëheqësit e partive për shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve ndërsa ministri i tij i financave paralajmëron se vendi është në një pozicion financiar të pasigurtë.
Qeveria dhe parlamenti duhet të bien dakort për planin e ri të masave shtrënguese në se duan të marrin pjesën tjetër të ndihmës nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Partitë që mbështesin koalicionin qeveritar të Greqisë u takuan sot në përpjekje për të arritur një marrëveshje për masat shtrënguese, të nevojshme për të mënjanuar falimentin në mars, pas një fundjave negociatash të pafrytshme.
Tre partitë që mbështesin koalicionin e kryeministrit Lucas Papademos, kanë kundërshtuar publikisht shkurtimet e pagave në sektorin privat, siç kërkohet nga huadhënësit e eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Huadhënësit kanë bërë thirrje gjithashtu për pushime nga puna në sektorin e madh publik të Greqisë, uljen e pagave mujore dhe shkurtimin e pensioneve, si pjesë e listës së gjatë të kërkesave për uljen e kostove.
Sindikatat dhe shoqatat e punonjësve kundërshtojnë shkurtimet e pagave, duke argumentuar se ato do të përkeqësojnë recesionin në vitin e katërt dhe papunësinë që është në nivelin e 19 përqindshit.
Stathis Anestis, zëvendës sekretar i përgjithshëm i sindikatës të sektorit privat GSEE, thotë se Greqia do të shkelte rregullat e BE-së në se ndërhyn në sektorin privat.
Marrëveshjet kolektive në sektorin privat janë e drejtë evropiane dhe Evropa është e detyruar ti respektojë ato. Kjo është hera e parë që ka ndërhyrje për të anuluar marrëveshjet e pagave, dialogun social dhe marrëveshjet mes partnerëve.
Anestis thotë se sindikata kërkon që Greqia të vazhdojë të jetë në eurozonë por se vendi nuk duhet të shërbejë si provë për zbatimin e politikave liberale ekonomike që shkelin të drejtat e punëtorëve.
Shqetësimet se marrëveshja mund të mos arrihet kanë risjellë frikën e falimentimit të Greqisë që mund të dërgojë një valë shokuese në mbarë ekonominë globale.
Robert Halver, një analist për bankën Baader në Frankfurt thotë se tregjet nuk duhet të shqetësohen nga një dalje e menjëhershme e Greqisë nga eurozona, duke shtuar se kjo është e pashmangshme por nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Madhësia e fondit të shpëtimit duhet të shtohet, Banka Qendrore Evropiane duhet të hedhë më shumë para në treg dhe duhet të mbahen zgjedhjet në Franë. Pas kësaj, Evropa do të jetë e fuqishme sa duhet për ta lënë Greqinë të dalë nga Eurozona.
Marrëveshja e re e shpëtimit është jetike për Greqinë, për të eleminuar falimentin muajin e ardhshëm, ndërsa nuk do të mund të paguajë këstet e huasë më 20 mars.