Greqia propozon emrin Maqedoni Sllavo Shqiptare
Nju Jork, 29 tetor - Greqia ka hedhur idenë që Maqedonia të mbajë emrin Maqedoni Sllavo Shqiptare. Ky ishte një nga propozimet e bëra nga negociatori grek në bisedimet e fundit për zgjidhjen e kontestit të emrit në New York.
Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja maqedonase Dnevnik e cila ka theksuar se në raundin e fundit të bisedimeve të zhvilluar fundjavën e kaluar në New York, negociatori grek Adamantios Vasilakis ka propozuar emrin Maqedonia Sllavo Shqiptare, si zgjidhje kompromisi.
Gazeta maqedonase lidhur me këtë shkruan se negociatat për emrin kanë hyrë në një fazë qesharake. Ndërkohë, zyrtarisht bëhet e ditur se pala greke ka mbetur në pozicionet e saj për një zgjidhje për emër që do të jetë erga omnes me përdorim të përgjithshëm.