Greqia-ndërkombëtarëve: Na jepni para të njohim Kosovën
Beograd, 28 korrik - Mediat serbe njoftojnë se Greqia ka kërkuar më tepër financime nga BE-ja dhe SHBA-të në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Portali serb i lajmeve Press shkruan sot se qeveria e Athinës po përpiqet të shfrytëzojë rastin për të përfituar të ardhura financiare nga çështja e Kosovës. Borxhi i jashtëm dhe kriza financiare në të cilën është zhytur prej Kohësh Greqia, bën që financimet të jenë të mirëseardhura.
Si Amerika ashtu edhe bashkësia evropiane po i kërkojnë Athinës të njohë Kosovën, ndërkohë që qeveria greke i ka kërkuar këtyre të fundit financime, duke ofruar si shkëmbim njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.
Press i referohet deklaratave të disa zyrtarëve dhe thekson se pas vendimit të GJND-së Greqia do ta njohë Kosovën në mesin e muajit shtator, pak para takimit të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së.
Deri atëherë Athina zyrtare do të përpiqet të bindë SHBA-të dhe BE-në që të paguajnë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.