Greqia mbështet marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë
Në një deklaratë zyrtare ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos deklaroi se "zbatimi konsekuent i marrëveshjes do të jetë një hap i rëndësishëm drejt konsolidimit të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në Evropë".
Ai theksoi se ky zhvillim konfirmon vullnetin politik dhe vendosmërinë e të dy palëve për të zgjidhur çështje të rëndësishme të pazgjidhura, për të mirën e popujve të tyre, të cilët tani mund të shohin përfshirjen në familjen tonë të madhe evropiane me optimizëm të madh.
Sipas ministrit grek, kjo marrëveshje konfirmon gjithashtu angazhimin e udhëheqësve për perspektivën evropiane, e cila mbështetet fuqimisht nga Greqia.
Avramopulos përsëriti se pozicioni i Greqisë është që çështjet e hapura në Evropën Juglindore mund dhe duhet të trajtohen vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut, përmes respektimit të të drejtës ndërkombëtare, për të arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme.
"Çështje të tilla nuk duhet të mbeten të përhershme dhe as nuk mund të importohen në Bashkimin Evropian pa u zgjidhur", deklaroi ai.
"Marrëveshja hap perspektiva të reja dhe mundësi për një të ardhme të përbashkët evropiane" dhe "për këtë arsye ka mbështetjen e plotë të Greqisë", vlerësoi ministri i Jashtëm grek.